Vuçiq: Perëndimi dëshiron t'ia heqë Putinit "kartën e Kosovës" nga dora
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka komentuar fjalimet e sotme të presidentit rus, Vladimir Putin dhe presidentit amerikan, Joe Biden.
Duke folur për median e afërt me regjimin serb, TV Pink, Vuçiq ka thënë se fjalimet e mbajtura nga Putin dhe Biden kanë konfirmuar dallimet e mëdha që janë mes tyre, si dhe faktin që konflikti në Ukrainë është në rrugën e përshkallëzimit të mëtejshëm. Ai po ashtu ka shtuar se në rrethana të tilla, Serbia duhet të kujdeset për veten.
"Për Putinin, e vërteta është në anën e Rusisë, për Biden - Ukraina nuk është vendi ku Rusia do të fitojë. Kur i merrni parasysh të gjitha këto, është e qartë se ne po shkojmë drejt një ndezjeje të mëtejshme dhe përshkallëzimit më të madh të konfliktit,”- është shprehur Vuçiq, raporton Kosovo Online.
Ndërkohë, i pyetur nëse bota është në prag të një lufte të përgjithshme, Vuçiq është përgjigjur duke thënë se nuk ka dyshim se situata është shumë e vështirë dhe do të bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Ndër të tjera, presidenti serb ka thënë se Serbia ka politikën e saj serioze dhe të pavarur, por ka shtuar se fjalimet e Vladimir Putin dhe Joe Biden kanë shfaqur vendosmëri të madhe dhe jo kompromis nga të dyja palët, gjë që do ta komplikonte edhe më shumë situatën e Serbisë, sepse 'Perëndimi do të dëshirojë t'ia marrë kartën e Kosovës nga duart e Putinit, dhe Beogradi do të jetë në një pozitë gjithnjë e më të vështirë sa i përket sanksioneve'.
Megjithatë, Vuçiq ka thënë se Serbia i është përmbajtur politikës dhe pavarësisë së saj, si dhe ka shprehur besim se mund ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.
