Vuçiq pas deklaratave të Biden e Clark pretendon se Serbia është ‘paqësore’: S’po e prekim askënd, jemi të përgjegjshëm
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka reaguar pas deklaratave të presidentit amerikan, Joe Biden dhe gjeneralit amerikan, Wesley Clark.
Vuçiq ka pretenduar se Serbia është paqësore, e përgjegjshme e “s’e prek askënd”. Sipas tij, nuk do të bëhen më “pre e askujt”, si në vitin 1999.
“…edhe presidenti amerikan Biden edhe Wesley Clark, po flasin për Ballkanin dhe atë që ndodhi në vitin 1999. Dua të them se nuk po e prekim askënd, s’do ta prekim askënd, por Serbia nuk është e mundur, dhe nuk do të jetë më pre e askujt, siç ishte në vitin 1999. Sot Serbia është serioze, e përgjegjshme, dëshiron paqe, por nuk e lejojmë askënd në botë që të kërcënojë lirinë dhe atdheun e popullit tonë.” – citohet se ka thënë ai, sipas “Kosovo-Online”.
Ndryshe, në fjalimin e tij me rastin e 75-vjetorit të NATO-s, presidenti amerikan theksoi se kishin ndërhyrë për të vendosur paqen dhe për ta ndaluar spastrimin etnik.
“Kur shpërtheu lufta në Ballkan, ne ndërhymë për të rivendosur paqen dhe për të ndaluar spastrimin etnik.” - tha Biden.
“Dhe kur Shtetet e Bashkuara u sulmuan më 11 shtator, aleatët tanë të NATO-s - të gjithë ju - qëndruat me ne, duke thirrur nenin 5 për herë të parë në historinë e NATO-s, duke e trajtuar një sulm ndaj nesh si një sulm ndaj të gjithëve ne - një shfaqje befasuese e miqësisë që populli amerikan nuk do ta harrojë kurrë, kurrë.” - tha presidenti amerikan më tutje.