Vuçeviq: Ushtria e Serbisë është vendosur në pozicione drejt vijës administrative me Kosovën
Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Milos Vuçeviq ka deklaruar se Forcat e Armatosura të Serbisë janë vendosur në pozicione drejt vijës administrativë me Kosovën.
Mediumi serb “Kosovo-Online” ka raportuar se ministri serb i bëri këto deklarata për “RTS”, duke thënë se pas “Skenave dramatike” në Kosovë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka lëshuar urdhër për ngritjen e shkallës së gatishmërisë luftarake në nivelin më të lartë.
“Kjo do të thotë se pak para orës 14:00, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë ka lëshuar urdhër të mëtejshëm që njësitë e Forcave të Armatosura të Serbisë të zënë pozicione të caktuara që ishin të përcaktuara në përputhje me planet tona të mbrojtjes, planet strategjike, si dhe me veprimet operative dhe taktike të Forcave të Armatosura të Serbisë, të gjitha me qëllim të mbrojtjes së sovranitetit të Republikës së Serbisë dhe qytetarëve të saj.” – është shprehur ai.
Sipas raportimit të këtij mediumi, Ushtria Serbe është e dislokuar në pozicionet që janë në vijën administrative me Kosovën dhe zë pozitat e saj, të cilat në dokumentet ushtarake janë të specifikuara si pozicionet e ushtrisë serbe në situata të tilla.
Situata në veri
Tentimi i kryetarëve të rinj të Zveçanit dhe Zubin Potokut për të hyrë në objektet e komunave nuk ka qenë i lehtë.
Me të marrë këtë lajm, serbët lokalë kanë lëshuar alarmet dhe ka filluar grumbullimi i qytetarëve për t`i bllokuar hyrjet e objekteve të komunave. Kjo ka nxitur tensionimin e situatës, e cila ka çuar edhe në intervenimin e Policisë së Kosovës.
Intervenimi i policisë në shpërndarjen e trumave para objekteve të komunave në Zveçan dhe Zubin Potok ka bërë që disa zyrtarë të lëndohen.
“Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë (5) zyrtarëve policorë të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore. Po ashtu janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare, njërës prej tyre ia kanë vënë zjarrin. Dyshohet se në afërsi janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por që ende nuk dihet lokacioni i saktë." - është thënë në komunikatën e policisë.
