Vritet një grua në Ferizaj, i dyshuar është ish-bashkëshorti
Një grua është vrarë në Ferizaj. Ngjarja ka ndodhur sot pak më parë. Lajmin për këtë vrasje e ka konfirmuar Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë Rajonale të Ferizajt.
“Për pasojë nga të shtënat e armës së zjarrit një person i gjinisë femërore ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa është plagosur një person i gjinisë mashkullore, i cili është dërguar nē Qendrën Emergjente në Ferizaj.
I dyshuari pasi ka shtënë me armë zjarri është larguar në drejtim të panjohur.
Ekipe të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në ora 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje.
Ekipe të hetuesve dhe krimeve janë në vendin e ngjarjes, të cilët janë duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit” – deklaruan nga Veseli për Express.
Sipas raportimit, gruaja është dërguar në Qendrën Emergjente të Spitalit të Ferizajit pa shenje jete. E gjithë ngjarja ka ndodhur para Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.
Në lidhje me këtë vrasje, dyshimet e para janë se vrasjen e kreu ish-bashkëshorti i viktimës.
“Po mund të ju konfirmojmë që një grua është vrarë në Ferizaj. Sapo bisedova edhe me prokurorin kujdestar, ai më njoftoi se dyshimet e para janë se një grua është vrarë nga bashkëshorti. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur në Qendrën për Punë Sociale” – ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Vjosa Baftiu, për Kallxo.