Vrasja e trefishtë në Gllogjan: Prokuroria thotë se është afër ta gjejë vrasësin
Vrasja e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, kishte tronditur Kosovën.
Autobusi plot me nxënës ishte gjuajtur me automatikë, duke lënë të vdekur shoferin dhe dy nxënës të tjerë.
Prokuroria Themelore e Pejës pretendon se është afër zbulimit të autorit të një prej vrasjeve më të rënda në Kosovën e pasluftës.
Prokurorja Sahide Gashi i ka thënë televizionit Dukagjini përmes telefonit, se janë në fazën finale të mbledhjes së provave për këtë vrasje që ka ndodhur në Deçan në fund të vitit 2021.
“Po jemi në fazë finale. Krejt i kemi mbledhë, të gjitha provat i kemi siguruar, të gjithat provat që i kemi kërkuar i kemi siguruar dhe jemi në fazë finale. Për të gjitha çështjet, do të jeni të informuar me kohë”, ka thënë Sahide Gashi – Prokurore.
Prokuroria ka planifikuar të organizojë brenda pak javësh një konferencë, ku do të prezantohen të gjitha të gjeturat për vrasjen e shoferit Gani Gjokaj dhe nxënësve Ledion Hamzaj e Gentiana Mustafaj.
Mes këtyre provave është edhe ekspertiza zvicerane për një predhë plumbi, e cila ishte gjetur në veturën e njërit prej të dyshuarve.
Në paraburgim, prej më shumë se një muaji po qëndrojnë Halim Mehmetaj dhe djemtë e tij, Malësor, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj.