Votat: Kush sa mori ku dhe si do të duken grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës - NACIONALE

Votat: Kush sa mori ku dhe si do të duken grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ka përfunduar numërimi i votave të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më nëntë shkurt. Rezultatet përfundimtare nuk do të shpallën të paktën deri në 48 orë pas kalimit të afatit për ankesa, i cili ka filluar të mërkurën në orën 21:00. Megjithatë, tashmë kemi një pasqyrë se si pritet të duken grupet parlamentare.

Fillimisht, nga votimi në qendrat në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para duke marrë 40.90 për qind, apo 345 mijë e 760 vota, duke rënë kështu për rreth 10 për qind nga zgjedhjet e vitit 2021.

Partia Demokratike e Kosovës ka dalë e dyta me 186 mijë e 302 vota apo 22.04 për qind. Kjo, pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës e cila ka marrë 149 mijë e 95 vota apo 17.64 për qind.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në koalicion me Nismën kanë marrë 63 mijë e 35 vota, apo 7.46 për qind.

Votimi nëpër përfaqësi diplomatike, proces ky që është realizuar për herë të parë, kanë shkaktuar një befasi të madhe me Vetëvendosjen që ka marrë mbi 80.71 për qind apo 12 mijë e 261 vota, transmeton Nacionale.

PDK ka dalë e dyta nga numërimi i votave atje, me 7.73 për qind apo 1 mijë e 175. LDK e treat me 7.30 për qind apo 1 mijë e 109 dhe AAK e katërta me 299 apo 1.97 për qind.

Votimi përmes postës, përmes së cilave votojnë kryesisht diaspora, shfaqin një dallim tepër të madh nga ato në përfaqësi diplomatike.

Këtu, VV-ja ka marrë 51.57 për qind të votave apo 31 mijë e 963. LDK ka arritur të marrë mbi 30 për qind të votave, apo 18 mijë e 933.

PDK ka dalë e treta me 9.48 për qind apo 5 mijë e 878. AAK ndërkaq, nga votimi me postë ka marrë 3.23 për qind apo 2 mijë.

Rezultatet nga votimi i personave me nevoja të veçanta, janë si vijon:

VV ka marrë 824 vota apo 31.88 për qind, PDK 621 vota apo 24.02 për qind, LDK 505 vota apo 19.54 për qind dhe AAK 229 vota apo 8.86 për qind.

Nga votimi me kusht, VV ka marrë 5 mijë e 214 vota apo 44.25 për qind. PDK ka dalë e dyta në këtë votim, me 20.17 për qind apo 2 mijë e 377 vota. LDK ka marrë 13.64 për qind apo 1 mijë e 607 vota, transmeton Nacionale.

Lista Srpska ka marrë 6.33 për qind të votave me kusht, apo 746 dhe AAK 5.63 për qind apo 663 vota.

Përbërja e grupeve parlamentare

Në bazë të këtyre rezultateve, përbërja e grupeve parlamentare në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës do të duket goxha më ndryshe se ajo e kaluara.

VV e cila në zgjedhjet e vitit 2021 kishte fituar 58 deputetë, tashmë pritet t’i ketë 48.

Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 24 ulëse në Kuvendin e Kosovës, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 20.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ndërkaq, pritet t’i ketë 8 deputetë.

Eugen Cakolli nga KDI ka publikuar edhe emrat e deputetëve të ardhshëm të Kuvendit të Kosovës. Detajet rreth kësaj, i gjeni më poshtë:

Theksojmë se sot, do të rinumërohen votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga vendvotimet në Vushtrri.

Një vendim i tillë vjen pas urdhërit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për rinumërim të votave të kësaj partie në këtë komunë.

Lajme të ngjashme