Von Cramon për Asociacionin: S’jemi të interesuar për një Republika Srpska - NACIONALE

Von Cramon për Asociacionin: S’jemi të interesuar për një Republika Srpska

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, po shpreson që nga takimi i datës 18 mars në Ohër ndërmjet kryeministrit Kurti e presidentit serb, të nënshkruhet marrëveshja e shumëpritur.

Në një intervistë në emisionin "Lajmet e fundit" në RTK, Von Cramon ka deklaruar se propozimin evropian e ka parë në muajin shkurt, dhe sipas saj është hap përpara për të ardhmen e të dyja shteteve.

“Shpresoj të shohim edhe nënshkrime. Kjo do të ishte një marrëveshje që do të ishte hap tejet i madh përpara për të dyja vendet, por sidomos për Kosovën në kuadër të integrimit evropian”, ka deklaruar fillimisht Von Cramon.

“E kam parë propozimin evropian në muajin shkurt dhe besoj se sidomos për Kosovën është një hap tejet i madh përpara, në kuptimin e njohjes si shtet sovran dhe në ecjen përpara”, ka shtuar më tutje ajo.

Sipas raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, nëse nënshkruhet aneksi i marrëveshjes që flet për planin e zbatimit, atëherë ka gjasë që në Ohër të nënshkruhet komplet marrëveshja.

Ajo u përgjigj edhe rredh diskutimeve të ngritura nëse njohja nga Serbia është “de facto” apo “de jure”

“Kjo po ashtu nënkupton se Serbia duhet ta ndalë fushatën e çnjohjeve dhe Kosova mund të aplikojë për anëtarësim në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe kjo është shumë thelbësore për Kosovën. Në këtë pikë të gjithë ekspertët pajtohen se ky është një hap i madh për Kosovën”, është shprehur eurodeputetja Von Cramon.

Megjithatë, ajo nuk ka garantuar që me këtë marrëveshje Kosova e merr njohjen nga pesë shtetet e BE-së që deri më tash nuk e kanë njohur pavarësinë.

“Është sigurisht shumë e vështirë të thuhet diçka e tillë me bindje të plotë. Ajo çfarë kam dëgjuar nga ata që kanë negociuar me të dyja palët është se kjo është mjaft e mundshme dhe së paku nuk ka ndonjë pengesë ligjore apo juridike në këtë drejtim. Nëse Serbia de-facto njeh të gjitha dokumentet e Kosovës, atëherë nuk do të kishte pengesa për asnjë vend tjetër që ta njohë Kosovën. Nuk është se kam folur me qeveritë përkatëse por e shoh si lëvizje shumë të madhe”, ka thënë Von Cramon.

Duke folur për Asociacionin me komuna me shumicë serbe, ajo ka thënë se BE nuk do të lejojë një “Republika Srpska” të re.

“Ka modele të ndryshme edhe në BE dhe asnjë prej tyre nuk është e ngjashme me 'Republika Srpska' sepse nuk kemi kurrfarë interesi që të krijojmë një trup të dytë sikurse ‘Republika Srpska’ dhe kjo është e sigurtë. Ajo që u kemi ofruar palëve në Kosovë është diçka që nuk mund të çojë në ndonjë çarje apo ndarje”, ka theksuar Von Cramon.

Ajo ka thënë se i mbetet Qeverisë së Kosovës të vendosë për modelin , por ka thënë se “është me rëndësi që kjo pikë të mos refuzohet sepse është një prej arrave të forta” dhe është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe 2015.

Deklaratat para takimit në Ohër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që do të mbahet në Ohër.

Kurti ka thënë se shpreson që refuzimi i Serbisë për ta nënshkruar marrëveshjen, nuk është indikacion që nuk pajtohen me përmbajtjen.

“Në takimin trilateral në Bruksel më 27 shkurt, ofrova të nënshkruaj marrëveshjen bazë në emër të Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht presidenti i Serbisë refuzoi. Refuzimin, ai e bëri publik pasi doli nga takimi. Javën e ardhshme ne përsëri do të takohemi në Ohër, në Maqedoninë e Veriut. Unë shpresoj që refuzimi i Serbisë që ta nënshkruaj propozimin në Bruksel nuk është indikacion që ata nuk pajtohen me përmbajtjen. Çdo ditë ne dëshmojmë kreativitetin dhe konstruktivitetin. Ne besojmë që marrëveshja bazë mes Kosovës dhe Serbisë përbën avancimin drejt njohjes reciproke mes dy shteteve. Ne besojmë që normalizimi i plotë i raporteve kërkon njohjen e tillë, si copa qendrore e marrëveshjes”, tha ai në një video të publikuar në faqen e qeverisë.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka komentuar sërish takimin e 18 dhjetorit që do ta ketë me kryeministrin Kurti në Ohër.

Ai e ka krahasuar këtë takim me një dasmë. Sipas tij, është e paqartë ftesa për Vuçiqin në një dasëm ku “mungojnë nusja dhe dhëndri”.

“Do të shkoj në Ohër dhe do t’u them të njëjtën gjë që ju them dhe ju, sepse ju mendoni se ata nuk dëgjojnë ose nuk e dinë se çfarë po them. Dikush duhet të ma shpjegojë se çfarë kuptimi ka kjo, përse më ftuat në një dasmë ku nusja dhe dhëndri nuk duken askund, nuk po e kuptoj kuptimin, pra është diçka që më duket se nuk ka kuptim, por mua kjo po më pengon dhe nga pak më shqetëson që shoh që të gjithë heshtin dhe askush nuk do të reagojë, por do ta shohim ne serbët ndoshta do të jemi sërish fajtor për diçka. Pra, më lejoni t’iu them se në të gjitha bisedat që kam pasur dhe në të gjitha ato, nuk është vetëm çështje e insistimit tonë, është çështje e bisedimeve që kemi pasur për asociacionin e komunave serbe, është parakusht për çdo bisedim për çdo gjë, domethënë një kusht pa të cilin nuk mundemi të ecim përpara”, deklaroi presidenti serb.

Pikërisht ky takim ka bërë që emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, të qëndroi dy ditë me radhë në Prishtinë, e pastaj ta vizitojë edhe Beogradin.

Lajme të ngjashme