VMRO-DPMNE fiton zgjedhjet në Maqedoninë Veriore - Fronti Evropian del i dyti
Këshilli Shtetëror Zgjedhor ka numëruar mbi 95 për qind të votave nga zgjedhjet presidenciale e parlamentar të mbajtura të mërkurën më 8 maj në Maqedoninë Veriore. Fronti Evropian i Ali Ahmetit u rendit forca e dytë politike në këtë shtet. Ndërsa VMRO-DPMNE doli e para. Kush fitoi?
Këshilli Shtetëror Zgjedhor i Maqedonisë Veriore, ka numëruar 95 përqind të votave nga zgjedhjet dhe sipas të cilave partia fituese VMRO-DPMNE ka marrë 43.14 % ose 414 mijë e 134 vota që i sigurojnë 59 mandate në Kuvendin e ri të Maqedonisë së Veriut.
Në vendin e dytë për herë të parë ka dalur një parti shqiptare. BDI-ja me Frontin Evropian ka arritur 14.01 % ose 134 mijë e 473 vota – 19 mandate.
Në vendin e tretë renditet Koalicioni për të ardhmen evropiane LSDM me 146 mijë e 488 vota ose 15.26 % që aktualisht i siguron 18 mandate.
Ndërsa koalicioni tjetër shqiptar – VLEN – ka fituar 10.90% ose 104 mijë e 672 vota – 13 mandate.
Pjesëmarrje në Kuvendin e Maqedonisë e kanë siguruar edhe partia politike E Majta me 6.76 % ose 64.926 vota apo 6 mandate dhe Lëvizja Unë di – Për Maqedoninë Tonë ka fituar 5.30 % ose 50.835 vota me 5 mandate.
Ndërsa në garën për president ka fituar Gordana Silanovska-Davkova me 539.686 vota ose 65.07% kundër presidentit aktual Stevo Pendarovski nga LSDM, i cili mori 242.760 vota ose 29.27%.
Fitorja e shqiptarëve
Menjëherë pas publikimit të rezultateve, dy taboret shqiptare Fronti Evropian dhe VLEN kanë shpallur fitoren.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë të ditur se dallimi i Frontit Evropian me VLEN-in është mbi 30 mijë vota.
Më tej ai tha se në bazë të përllogaritjeve të bëra bëhet fjalë për rreth 20 mandate të fituara.
"Fronti për Evropë është fitimar e krenar. Të gjithë këta aktivistë na kanë bërë krenar sepse jemi forca e dytë politike, fronti evropian në shtet. Me një dallim me oponentin, e kemi pas oponent VMRO-në sepse e kanë ndihmu shumë VLEN-in. Por, dallimi është mbi 30 mijë vota. Qytetarët të cilët kanë vepruar në kuadër të Frontit Evropian janë për anëtarësim të pakompromistë të vendit në Bashkimin Evropian. Si alternativë e vetme, për të gjithë Maqedoninë e Veriut. Ne dalim me 19 mandate në këto zgjedhje. Sipas përllogaritjeve që kemi bë, ka mundësi që të lëvizet drejt 20 mandateve.", ka deklaruar Ahmeti.
Në anën tjetër edhe përfaqësuesit e koalicionit VLEN e kanë shpallur fitoren, ndonëse rezultate zyrtare po flasin ndryshe.
Bilall Kasami, njeri nga liderët e VLEN-it, ka shpallur fitoren e këtij koalicioni në disa komuna.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se këtë fitore ua dedikon të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.
Ai beson se VLEN do të ketë numër të barabartë të deputetëve me Frontin Evropian.
“Ajo që është e sigurt për momentin, në Tetovë fitojmë, Tearcë , Bërvenicë, Zhelinë, në komunën e Çairit, dhe në disa komuna të tjera presim rezultatin përfundimtar dhe besoj që edhe aty dalim fitues. Ende nuk kemi bërë llogaritje në deputetë por besoj që do të jemi baras në numër të deputetëve”, ka thënë Kasami.