Vlojnë diskutimet: Kush janë emrat që po përmenden për president? - NACIONALE

Vlojnë diskutimet: Kush janë emrat që po përmenden për president?

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Pas refuzimit që erdhi nga familja Jashari, e gjithashtu pas distancimit të Kurtit nga Vjosa Osmani, afati për president ka hyrë në fazën finale.

Si rezultat, janë shtuar edhe propozimet e diskutimet për emra të ndryshëm.

Për ditën e sotme, u paralajmërua se mund të ketë një tjetër takim të Albin Kurtit me liderët e PDK-së dhe LDK-së, por deri më tani nuk ka asgjë të konfirmuar.

Burimet i kanë thënë gazetës Nacionale se kryeministri Albin Kurti do të synojë që të dielën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, t’i propozojë të paktën dy emra.

Burime të ndryshme ia kanë konfirmuar Nacionales disa prej emrave që po përmendën për postin e presidentit.

Në fillim, për këtë pozitë ishte përmendur edhe publicisti Blerim Shala. Megjithatë, ky i fundit i tha Nacionales se nuk ka asgjë të vërtetë, dhe ka mohuar që është apo do të jetë në mesin e kandidatëve.

Një tjetër emër që është përmendur në ‘kuluaret’ e Vetëvendosjes është edhe Shqiptar Demaçi, djali i Adem Demaçit.

Ai në një prononcim për Nacionalen ka thënë se deri më tash nuk ka pranuar ndonjë ofertë për pozitën e presidentit, por që nëse ka ofertë, tha se është herët të diskutohet se a do ta pranonte.

“Jo deri më tash nuk kam pas kurrfarë kontakti, nuk kemi bisedu. Ofertë nuk kam pas kurrgjë. Për këtë, nuk isha hi në këto muhabete, nuk isha hi”, tha Shqiptar Demaçi për Nacionalen.

Një tjetër emër është edhe ai i Rexhep Qosjes, por Nacionale nuk ka arritur ta verifikojë këtë informacion.

Kryeministri Kurti sot priti në takim kryetaren e Akademisë së Shkencave, Justina Shiroka-Pula. Nacionale e pyeti këtë të fundit nëse është diskutua emri i saj dhe çështja e presidentit, por Shiroka-Pula e mohoi. "Ka qenë takim profesional, kam qenë edhe me dy nënkryetarë të Akademisë, dhe nuk është diskutuar fare kjo temë. As më herët", tha ajo.

Qeveria në njoftim për takim tha se është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit.

“Kryetarja Shiroka Pula e uroi kryeministrin Kurti për mandatin e ri qeverisës dhe e falënderoi për pjesëmarrjen e vazhdueshme në aktivitetet e AShAK-ut. Ajo e njoftoi kryeministrin për punën, planet dhe prioritetet e institucionit që drejton, si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të AShAK-ut me institucionet shtetërore për nevojat dhe interesat e vendit, përmes ekspertizës që ofron Akademia. Kryeministri gjithashtu e uroi kryetaren Shiroka Pula për detyrën e saj të re dhe i dëshiroi suksese në punë. Ai theksoi prioritetet e Qeverisë, ndër to arsimin dhe drejtësinë, si dhe rëndësinë e tyre për një hov të ri të zhvillimit të vendit, por edhe rolin që bashkëpunimi me AShAK-un mund të luajë në këtë drejtim. Diskutuan për zhvillimet, progresin dhe sfidat në vend, dhe u pajtuan të mbajnë komunikim të rregullt për thellimin e bashkëpunimit”, u tha në njoftimin e qeverisë.

Deri më tash, shumë emra janë diskutuar, por që asnjë nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Ajo që dihet është se familja Jashari ka refuzuar. Vjosa Osmani nuk e ka mbështetjen e Albin Kurtit, kurse Arsim Bajrami ka shprehur dëshirën për t’u bërë president.

Lajme të ngjashme