S’ka duartrokitje: Pamjet që tregojnë qysh çohej në këmbë Kurti me kabinet për Osmanin, sot as s’e përshëndeti - NACIONALE

S’ka duartrokitje: Pamjet që tregojnë qysh çohej në këmbë Kurti me kabinet për Osmanin, sot as s’e përshëndeti

1 vit më parë

nga NACIONALE

Fjalimi vjetor i presidentes Vjosa Osmani para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përfundoi me jo shumë duartrokitje, për të mos thënë fare, nga kabineti i Qeverisë Kurti. Derisa viteve paraprake deputetë e ministra të pushtetit zgjoheshin edhe në këmbë, kësaj radhe u pa njëfar tensioni, sidomos, pas thumbave që kryetarja e shtetit ua bëri gjatë fjalës së saj.

Mëngjesin e së enjtes Osmani mbajti fjalimin vjetor, ku pati kritika nga përdorimi i çështjeve për vota, te marrëdhëniet me aleatët, situata në Forcën e Sigurisë së Kosovës, dialogu e Asociacioni.

“Asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm e asnjë shtet nuk ka sukses në izolim. Andaj, rëndësia e ruajtjes dhe forcimit të aleancave është e paçmueshme. Historia politike na mëson se, dobësimi i aleancave ose partneriteteve është një gabim strategjik. Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim”,

“(...) dhe investim në një të ardhme ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komunitetin euroatlantik të kombeve të lira. Aleancat janë për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë”.

“Fatkeqësisht ky propozim i imi atëherë ishte goditur në mënyrën më të ulët, me lloj- lloj shpifjesh deri tek shpifjet për tradhti kombëtare. E ku jemi sot? Jemi pikërisht në momentin ku po kërkohet e njëjta, pra që draftin ta hartojmë ne. Por, siç dihet, vendimet e duhura duhet të merren edhe në momentin e duhur.”ishin vetëm disa prej deklaratave të dhëna nga presidentja Osmani.

Këto fjalë të thëna nga Osmani, para VV-së e GUXO-s që e themeloi, shkaktuan shumë reagime. Një prej tyre, edhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa.

“Unë mendoj se janë vërejtje shumë të vonshme të presidentes sepse ajo këto po i thotë në fund të mandatit të kësaj Qeverie, nuk i ka thënë asnjëherë deri më tani në tre fjalimet e saj që ka pasur në Kuvend dhe në këtë shumicë parlamentare. Unë mendoj se edhe vet presidentja është akterë ose pjesëmarrëse i gjithë këtyre ndodhive që kanë ndodhur nga ndërkombëtarët sepse edhe ajo deri më tani e ka përkrahë këtë kurs të Qeverisë.” - ka thënë Mustafa, siç e citoi Rtv21.

Viteve të kaluara, fjalimet e Osmanit, përcilleshin me duartrokitje të gjata, me deputetë e ministra që zgjoheshin në këmbë sapo ajo mbaronte fjalën.

Kësaj radhe, n përfundim të fjalimit të saj, ajo ka vazhduar për të dalë jashtë, ku u pa se nuk u përshëndet me kryeministrin Albin Kurti e kryediplomaten Donika Gërvalla.

Kurti madje, shihet duke diskutuar diçka me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Osmani është parë më pas duke diskutuar me shefen e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe më pas është përshëndetur me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Nacionale ka përmbledhur përfundimet e fjalimeve vjetore të Osmanit në këto katër vite, të cilat mund t’i ndiqni në videon më poshtë.

Lajme të ngjashme