Hovenier: Çështja e përgjegjësisë për sulmin në Kosovë nuk merr fund me deklarimin e Radojiçiq - NACIONALE

Hovenier: Çështja e përgjegjësisë për sulmin në Kosovë nuk merr fund me deklarimin e Radojiçiq

2 vjet më parë

nga NACIONALE

E PËRDITËSUAR - 15:04 - Në një bisedim me gazetarët, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka deklaruar se nuk beson që çështja e përgjegjësisë për sulmin në veri të Kosovës, nuk merr fund me deklarimin e Milan Radojiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.

Kështu ka deklaruar ai sipas “REL”, ku ka thënë se ShBA-të kanë qenë të qarta që përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Do të thosha që gjëja e duhur për shërbimet tona të sigurisë dhe partnerë tjerë është që të vazhdojmë të tentojmë të kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta, ata që mbajnë përgjegjësi për sulmin duhet të mbahen përgjegjës. Ky mbetet pozicioni ynë. Ne do të vazhdojmë të tentojmë për të kuptuar çfarë ka ndodhur, kush është përgjegjës dhe pse.” – ka thënë ai.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, ka deklaruar se janë të gatshëm ta këshillojnë Kosovën në hartimin e statutit për Asociacionin.

Këto deklarata, ai sipas “REL”, i ka bërë në një bashkëbisedim me gazetarët në ambasadë.

Sipas këtij mediumi, ky është reagimi i parë i ambasadorit rreth Asociacionit, pas deklaratës së presidentes se Kosova duhet ta përgatisë draft-statutin bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në fund, kjo çështje do t’i përkasë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Mirëpo, nëse Kosova dëshiron të konsultohet me ne, ose të tjerët, se si të çojë diçka përpara në mënyrë më të mirë, ne jemi të gatshëm ta këshillojmë.” – ka thënë ai.

Çka tha presidentja?

Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, presidentja u shpreh që draft statuti duhet të hartohet nga Kosova bashkë me ShBA-në.

“Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit [Antony Blinken] draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën [e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica] Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin [e shkruar] nga [këshilltari i lartë i DASH-it, Derek] Chollet dhe [i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar që sqarojnë që një trup i tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive.” - tha Osmani.

Rreth Asociacionit, presidentja foli edhe mbrëmë në një intervistë për CNN. Ajo edhe aty u pyet mbi këtë çështja, ku u shpreh se “Kosova është e vetmja palë konstruktive në dialog”.

“Ka vetëm një palë konstruktive në dialog dhe ajo është Kosova që ka implementuar 99 për qind të obligimeve për këto 12 viteve. Është plotësisht e kundërta ajo që po bën Vuçiq.” – tha ajo.

Më pas, Osmani u pyet nga gazetarja nëse kjo nënkupton edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Kjo nënkupton që artikulli i 7 ofron vetëmenaxhimin për serbët dhe nënkupton edhe nenet tjera të mbetura. Kosova po kërkon një dialog të balancuar dhe fer, gjë që s’po e merr. Dhe kjo po e inkurajon Vucicin për të bërë akte siç bëri të dielën.” – tha ajo.

Lajme të ngjashme