Vizita e Scholz-it në Beograd për litiumin, eskalon Gërvalla: “Mund të inkurajohet Serbia të na sulmojë”
Tonet e deklarimeve jo-diplomatike të kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla, kanë shkuar edhe një oktavë më lart ditëve të fundit. Kësaj here ndaj Gjermanisë – investitorit të jashtëm më të madh, partnerit kyç të sigurisë dhe një nga mbështetësit dhe afirmuesit më të mëdhenj të shtetësisë kosovare në arenën ndërkombëtare.
Doku folur mbrëmë në “ATV” ajo e akuzoi Kancelarin Federal, Olaf Scholz, se nëse e kryen ujdinë për shfrytëzim të minierave të litiumin në Serbi – udhëtim që është njofuar papritur për këtë javë – kjo e fundit do të inkurajohet për të sulmuar Kosovën “dhe, jo vetëm”.
“Ka një tendencë për të bërë gabime të ngjashme siç janë bërë me Rusinë, ku burimet e gazit e të naftës janë konsideruar më të rëndësishme sesa shteti ligjor dhe vlerat demokratike që përqafon një vend”, ka thënë Donika Gërvalla, duke sfiduar krejt peshën që litiumi që përfaqëson për ekonominë gjermane; përkatësisht ekonominë më të madhe në Bashkimin Evropian.
Gjermania shkëmbimin tregtar me Serbinë e ka edhe ashtu 10 miliardë euro në vit.
Gërvallla – lajtmotivi i të cilës në çdo intervistë është ‘sulm’ dhe ‘luftë’ nga Serbia – edhe për ujdinë që Gjermania synon të arrijë për litiumin, e dha në trajtë lufteje.
“Mund të dërgohet përsëri një mesazhi i gabuar përmes një vizite të tillë. Burimet e litiumit i japin një rol të veçantë Serbisë. Nëse bëhet ky hap atëherë ju siguroj që Serbia ka për t’u ndjerë shumë e inkurajuar për të sulmuar, jo vetëm Kosovën”, ka thënë ajo.
Gërvalla s’ka të ndalur në kritikat ndaj ndërkombëtare; ku madje në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard” kishe kërkuar indirekt edhe “zëvendësimin” (lexo: shkarkimin) e diplomatëve të QUINT-it në Kosovë.
“Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje politike as për miqtë e saj më të ngushtë”, thoshte Gërvalla.
Hiç më larg se ditë më parë në intervistë për Veçernji List-in kroat, ajo kritikoi gjerë e gjatë Perëndimin se pas 1999’ës “nxorën konkluzionet e gabuara” në raport me rajonin, e konkretisht për Kosovën.
Iu ra toneve të alarmt edhe se mund të kërsasë “një luftë e gjithëmbarshme” në rajon.
“Fatkeqësisht (në Perëndim) ka ende oportunizëm dhe shumë nënshtrim në Perëndim, siç ishte rasti me Vladimir Putin. Dhe Aleksandar Vuçiq po zbaton vazhdimisht planin e lojës së Putinit, duke mbytur median e lirë dhe shoqërinë e lirë. Nëse duam të shmangim skenarin e ardhshëm ukrainas, duhet të ndalojmë së bëri asgjë”, ka thënë Gërvalla.
"Aleksandar Vuçiq do të ndalet vetëm nëse sinjalet janë të forta dhe të qarta: për shkak të agresionit të hapur kundër vendit fqinj, BE-ja duhet të vendosë sanksione ndaj Serbisë”.
“Ngrirja e procesit të anëtarësimit në BE duhet të konsiderohet nëse Beogradi refuzon të ekstradojë ata që janë përgjegjës për Sulmi në shtator 2023 dhe nuk abstenon shprehimisht nga sulmi ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera, po zbaton një strategji të ngjashme me atë të Putinit, duke u përpjekur të detyrojë Kosovën të bëjë lëshime territoriale, por qëllimi i Serbisë është pushtimi territori të Kosovës. Aleksandar Vuçiq dhe Millosh Vuçeviq mbajnë trupa të mëdha në kufirin me Kosovën”, thekson Gervala.