Vizita e Konjufcës e inati i Gëvallës për UÇK-në – krejt çka ndodhi dje
Brenda një qeverie, ka nga ata që vizitojnë krerët e UÇK-së e të tjerë që s’e duan flamurin e saj.
Ngjarjet që bënë bujë gjatë ditës së djeshme u ndërlidhën me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, vizitoi dje krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët gjenden në paraburgim në Hagë.
Duket ironike, por poashtu dje u mësua që me urdhër të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallës, në prill të këtij viti ishte larguar flamuri i UÇK-së nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork.
Ndërkaq, një tjetër ngjarje që u diskutua dje ishte edhe testi i maturës.
Rreth 22 mijë maturantë iu nënshtruan këtij provimi, i cili filloi në orën 10:00 dhe përfundoi në 12:30.
Konjufca nga Haga: Gjykata Speciale është bërë prej zorit, ka shumë defekte
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ishte në Hagë për t’i vizituar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët gjenden në paraburgim, ka thënë se institucionet e Kosovës e shohin me shqetësim Gjykatën Specale.
“Me iu thënë të drejtën ne si Kosovë i shohim me shumë shqetësim. Shqetësuese ka qenë vet ekzistenca themelimi i kësaj Gjykate. Edhe ata që kanë menduar që është e pashmangshme edhe ata kanë pasur vërejtjet e veta në atë kohë kur është themeluar. Pra nuk është se është bërë prej qefit, ka qenë një far gjykate e zorit më thënë të drejtën, edhe ata që e kanë ngritur dorën kanë menduar se po të mos të bëhej prej Kosovës do të bëhej prej Kombeve të Bashkuara dhe prapë së prapë Kosovë do të pësonte. E di që në atë kohë nuk ka qenë e lehtë as për ata që kanë votuar kundër e as për ata që kanë votuar “për” ”, ka thënë i pari i Kuvendit në një intervistë për RTK.
Gjatë ditës së djeshme, Konjufca është takuar me Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, kurse gjatë ditës së sotme pritet që të takohet me Hashim Thaçin e Kadri Veselin.
Megjithatë, veç të akuzuarve nga Gjykata Speciale, kryeparlamentari nuk është takuar me ndonjë përfaqësues të gjykatës dhe ka pak gjasa që kjo të ndodhë. Kështu ka konfirmuar të paktën shefi i kabinetit, Ilir Kërçeli.
“Në këtë rast as nuk kemi bërë kërkesë, e as nuk është menduar njëherë, pa i vizituar të burgosurit”, ka thënë shefi i kabinetit të Konjufcës.
Se nuk ka ndonjë agjendë me udhëheqësit e Gjykatës Speciale, e kanë konfirmuar edhe vetë këta të fundit për gazetën.
“Ne nuk jemi në dijeni për orarin e z.Konjufca gjatë kohës që ai do të jetë në Hagë”, kanë thënë për gazetën Nacionale nga Gjykata Speciale.
Gërvalla largoi flamurin e UÇK-së nga Konsullata e Kosovës në Nju Jork
Në prill të këtij viti, me urdhër të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, është larguar flamuri i UÇK nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork. Kryediplomatja, largimin e këtij flamuri nga ambientet e konsullatës e kishte kërkuar edhe në shtator të vitit të kaluar, por kërkesa e saj ishte refuzuar nga ish-konsulli i përgjithshëm, Frymëzim Isufaj. Me shkarkimin e këtij të fundit, ajo ka realizuar qëllimin e saj
Mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurimit për Kosovën shënon një prej rasteve të rralla që Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, përmend UÇK-në dhe mbron luftën e saj. Por, para se të mbante këtë fjalim, në prill të këtij viti, ajo kishte bërë një veprim të pahijshëm në raport me këtë ushtri. Kryediplomatja e Kosovës kishte urdhëruar stafin e konsullatës që ta largojnë flamurin e UÇK-së nga ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork.
Një burim i mirinformuar brenda MPJD-së, i ka thënë gazetës Nacionale, se Gërvalla ka kërkuar largimin e këtij flamuri edhe në shtator të vitit të kaluar, kur kishte vizituar Nju Jorkun për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së
Por, kërkesa e kryediplomates, sipas burimit të gazetës, ishte refuzuar nga ish-konsulli i përgjithshëm i kësaj konsullate, Frymëzim Isufaj.
"Gjatë qëndrimit në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, një zyrtar i lartë brenda kabinetit të Gërvallës i ka kërkuar konsullit që të heq flamurin e UÇK-së nga zyra. Mirëpo, ai ka refuzuar ta heq, duke thënë se sa të është në krye të konsullatës nuk do të hiqet ai flamur", ka thënë burimi për Nacionalen.
Nxënësit iu nënshtruan provimit të maturës
Rreth 22 mijë maturantë i janë nënshtruar provimit të matures gjatë ditës së djeshme.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook.
Kjo ministri bëri të ditur se provimi i Maturës këtë vit do të organizohet në 171 Qendra të Testimit, derisa të angazhuar për mbarëvajtje të procesit janë rreth 1600 administrues.
“Me qëllim që Provimi i Maturës të realizohet sipas rregullave dhe standarteve të përcaktuara, Këshilli Shtetëror i Maturës në takimin e mbajtur sot ka kërkuar nga të gjithë akterët e përfshirë në procesin e testimit që të jenë në nivel të përgjegjësive të përcaktuara”, thuhej në njoftimin e ministrisë.
Provimi i Maturës filloi në ora 10:00 dhe përfundoi në ora 12:30, ndërsa administruesit duhej të arrinin në Qendrat e Testimit më së voni në ora 9:00.