Vitia fol nga perspektiva e mjekut për koeficientin: Do të doja paga më të larta për stafin shëndetësor
Koeficient më të lartë për stafin shëndetësor thotë se do të kishte dashur ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.
Vitia derisa e vizioti komunën e Ferizajt theksoi se krahas koeficientit të ri do të ketë edhe shtesa për personelin shëndetësor që punon vetëm në sektorin publik, si dhe shtesa të tjera si ajo e rrezikshmërisë në vendin e punës.
“Nëse më pyesni mua si mjek dhe ministër i Shëndetësisë, kisha dashur të ishin akoma më të larta. Mirëpo kjo kategori ka përfituar pagat më të larta nga ky koeficient. Në anën tjetër, jemi të përkushtuar që përveç përmirësimit të kushteve, që janë edhe në aspektin infrastrukturor por edhe në mjetet e reja të punës, që të kemi temë bisedimi edhe incentiva tjera për krijimin e kushteve më të mira për punëtorët shëndetësorë,”- ka shkruar Vitia.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se koeficienti i ri më së miri ka adresuar dhe rritur nivelin e pagave të personeli shëndetësor.
“Natyrisht, do të ketë edhe shtesa të tjera që kanë të bëjnë me rrezikshmërinë në vendin e punës dhe tjera, të cilat ne do t’i diskutojmë në mënyrën më të sinqertë me Federatën Sindikale të Shëndetësisë, me të cilën nga takimi që kam pasur, nuk janë fare të interesuar të hyjnë në grevë”, ka deklaruar Vitia.
