Viti 2013, kur Albin Kurti e kritikonte PDK-në për nepotizëm, tash i punëson militantët e VV-së
Një nga premtimet bazë të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kohës së opozitës, ishte lufta kundër nepotizmit, jo punësimi partiak dhe familjar në institucionet e Kosovës.
Ka kaluar një dekadë që nga koha kur Albin Kurti, tash kryeministër i Kosovës, bërtiste më të madhe “kundër nepotizmit”. Premtimet e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, për luftimin e nepotizmit janë shpërfillur në kohën kur përfaqësuesit e kësaj partie ulen në karriget e institucioneve shtetërore.
Ishte pikërisht viti 2013 kur Kurti në një nga shkrimet e tij, Kurti kritikonte slloganin e PDK-së "Familja, Prona, Shteti".
Në atë kohë, Kurti madje edhe shtjellonte edhe kuptimin e fjalës “nepotizëm”, për të cilën thoshte se si Grabovci, sipas tij, “e mishëron me saktësi këtë dukuri duke qenë një nip i mirë që interesohet me aq zell për punësimin e dajës së vet”.
“Fjala nepotizëm rrjedh nga fjala latine nepos/nepotis që do të thotë nip. Grabovci e mishëron me saktësi këtë dukuri duke qenë një nip i mirë që interesohet me aq zell për punësimin e dajës së vet. Ai ndërhyn edhe në agjendën e kryeministrit i cili jo vetëm që s’e zmbraps dot këtë kërkesë të nipit Grabovci, por edhe i duhet të shfajësohet para tij duke u përgjigjur që nuk i është thënë ta kryejë këtë punë(sim). Ky nepotizëm par excellence që ka përfshirë edhe kreun e Qeverisë, prej Grabovcit quhet ‘respekt për familjen’. Privilegjet për të afërmit e tyre në llogari të interesit dhe parasë publike, Grabovci dhe të ngjashmit i quajnë veçse respekt. Sjellja e këtillë ështe tipike mafioze.” – shkruante Kurti.

Sot, 10 vite pas, Kurti bashkë me karrigen e kryeministrit, mban pas vetës edhe një sërë raste të punësimeve familjare. Banka Qendrore, Radio Televizioni i Kosovës, KEK-u, ministri të ndryshme dhe shumë institucione të tjera shtetërore përjetuan të njëjtin fat shumë vite pas thirrjeve të Kurtit për të luftuar nepotizmin. Ata janë mbushur me familjarë dhe aktivistë të LVV-së së Kurtit dhe Listës GUXO të Osmanit.



