Visoka: Kriza politike në Kosovë, test i pjekurisë shtetërore
Profesori i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Unviersitetin e Dublinit në Irlandë, Gëzim Visoka, ka komentuar situatën politike në Kosovë.
Visoka ka thënë se kjo situate, duhet të shërbejë për të rimenduar kulturën politike.
“Politika nuk është vendosje e një grupi kundrejt të tjerëve, por është dialog dhe kompromis”, thekson Visoka për Evropën e Lirë.
Sipas tij, dështimi i njëpasnjëshëm për të konstituuar Kuvendin e Kosovës po e thellon edhe zhgënjimin qytetar.
Visoka thotë se mungesa e ndërhyrjes ndërkombëtare këtë herë duhet të shërbejë si sinjal për partitë politike se ky është një test i pjekurisë së Kosovës si shtet, dhe i aftësisë për ndërrim të qeverive dhe pushteteve pa ndërhyrje apo mbikëqyrje ndërkombëtare.
“Është paradoksale që partitë aktuale kanë kërkuar pavarësimin e Kosovës nga mbikëqyrja ndërkombëtare, por tani po e kanë të vështirë ta bëjnë atë funksionale dhe të vetëqëndrueshme”, tha ai.