"Vijimësi e problemeve të brendshme": Çka çoi drejt dhunës në VV-në e Llapit? - NACIONALE

"Vijimësi e problemeve të brendshme": Çka çoi drejt dhunës në VV-në e Llapit?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Çka çoi në dhunën e sotme në Llap mes asamblistëve të Vetëvendosjes, dhe a mund të priten raste të tjera?

Një asamblist i VV-së po dilte nga Kuvendi i Komunës së Podujevës për të marrë një kafe gjatë pauzës. Atij i turret pas një asamblist tjetër i VV-së që i drejtohet me fjalët “Ku je ti që sponsoron lajme të rrejshme për mua?” I pari ia kthen “Mos mu drejto mua kështu.” Më pas, i dyti e kap për këmishe të parin dhe e fyen e ofendon, me nënë e familje sipas të parit.

“Kam lëvizur me duar pa ndërprerë në vetëmbrojtje. Por, ai nuk më lëshonte.” – thotë asamblisti i parë, me emrin Ragip Fetahu që në pretendimet e tij vijon duke thënë se është goditur në pjesën e pasme të kokës. Asamblisti i dytë që e kishte ndjekur, sharë dhe goditur e ka emrin Artrit Mulliqi.

Të dy janë nga një parti, Vetëvendosja. Dhe të dy janë nga Llapi.

Burimet i kanë thënë Nacionales se çështja kishte të bënte me emërimin e z. Haki Rudari në pozitën e shefit të grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes në këtë komunë. Pozitë që siç e konfirmon edhe Fetahu në shkrimin e tij në Facebook, ishte bërë ‘mollë sherri’ përplasjen e tij me Mulliqin.

Përplasjet paraprake

Vetëvendosje në Llap kishte pasur telashe serioze e mospërplasje edhe gjatë muajve të verës, e për të cilat kishte raportuar gazeta Nacionale.

Kryetarit të kësaj komune nga radhët e VV-së, Shpejtim Bulliqit po i largoheshin drejtorët. Disa edhe po i largonte vetë.

Një Mulliq tjetër kishte pasur probleme me kryetarin Bulliqi, është fjala për Besnik Mulliqin që kishte dhënë dorëheqje nga drejtoria e Inspekcionit. Pasi një tjetër drejtor, Driton Veliu, ishte larguar nga pozita e drejtorit të Shëndetësisë, Nacionalja kishte provuar të merrte vesh më shumë për atë që po ndodhte.

Asamblisti Florent Hasani ishte shprehur si vijon për redaksinë tonë:

“Jam shumë i hapur me fol drejtë, si asambleist i VV-së i kam mbështetë dhe e kam mbrojtë parimin e VV-së për të cilin jemi thirrur dhe i kemi fituar votat. E kam mbështetë drejtorin dhe realizimin e misionit të vet për mbrojtjen dhe implementimin e ligjeve. Jam në dijeni për përplasjet por duhet të jem i rezervuar, ma shumë s’mundem.”

Edhe Ragip Fetahu duket se i takonte grupit të asamblistëve të pakënaqur të VV-së me udhëheqësinë e komunës e të partisë në Llap.

“Delme me mjekërr gjatë qeverisjes së të korruptuarve të PDK-së dhe LDK-së, e delme me mjekërr gjatë qeverisjes së VV-së. (Nejse, dikur zbulohet që u ken dh* sa për t’i përfitu naj euro të butë). Këta po dalin të kenë parime!!! Nuk kanë faj rinia që hupin nga ky vend!” - shkruante ai.

Shpejtim Bulliqi do të zgjidhej kryetar i Qendrës së Vetëvendosjes në Llap, pasi pretendentit tjetër për të marrë këtë pozitë, Bedri Maqastenës i ishte mohuar e drejta e kandidimit.

Përplasje të vjetra

Marrë parasysh që z. Fetahu ka qenë kritik ndaj qeverisjes lokale të Shpejtim Bulliqit, atëherë është e vetëkuptueshme se problemet e trashëguara kanë çuar edhe në sulmin fizik të tyre.

Për dallim nga Fetahu që edhe pse aktivist i VV-së ka shpërfillur zgjedhjet e brendshme në parti, Artrit Mulliqi ndërkohë nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Mulliqi ka shpërndarl pamfletet e partisë ku kërkohej të dilej në votime dhe të votohej nga aktivistët e tjerë për t’i dhënë VV-së “drejtim progresiv”.

Por, aq progresiv si drejtim nuk dukej shpallja qytetar nderi i hoxhës Halil Kastrati në të cilën ngjarje kishte marrë pjesë Mulliqi.

“Zoti kurrë mos i humbtë bamirësit,” shkruante ai.

Fetahu në reagimin e tij në Facebook ndërkohë, pretendonte se kjo mund të ishte “vijimësi e problemeve të brendshme partiake dhe mund të jetë frustrim i tij (A. Mulliqit) për shkak se nuk ka arritë ta sigurojë një votë që i ka mungu për t’u bërë shef i grupit”.

Ai ka pretenduar se asnjëherë nuk ka pasur probleme me (sic.) “këtë person”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë tashmë ka nisur hetimet për rastin. Lajmi në fjalë është bërë i ditur nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore për Albanian Post.

“Pas informimit të prokurorit kujdestar nga policia, me urdhër të njëjtit është iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘Lëndimi i lehtë trupor’. Prokuroria në koordinim me policinë janë duke i ndërmarre të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ta ndriçuar në plotëni këtë çështje penale” – u shpreh ajo.

Lajme të ngjashme