VIDEO: Kurti regjistrohet si deputet, iu ikë gazetarëve në pyetjet për formimin e Qeverisë së re
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka shkuar në Kuvendin e Kosovës për t’u regjistruar si deputet.
Ndërkohë, sipas “KosovaPress”, edhe atje ai ka refuzuar të flasë para mediave rreth formimit të Qeverisë së re apo zgjedhjeve të reja të mundshme.
Njëjtë, kryeministri në detyrë veproi edhe të mërkurën gjatë vizitës së tij në Koshare, atje ku u pyet për refuzimin që ia bëri kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për takim konsultativ.
Pak ditë më parë, numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, bëri me dije se qeveria e re nuk mund të formohet pa bërë koalicion me ndonjërën prej partive opozitare.
Pas takimit kishte me përfaqësuesit e partive politike, në cilësinë e ish-kryetarit të Kuvendit, Konjufca theksoi se kjo parti në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk e ka arritur synimin e saj.
“Vetëvendosja e ka pas pozicionin transparent gjatë zgjedhjeve. Kemi thënë se qëllimi im ka qenë me vazhdu një qeverisje siç e kemi, mundësisht pa partitë tjera opozitare e pastaj e merr rezultatin e zgjedhjeve edhe e sheh që nuk e ke mbërri atë qëllim. Kjo është demokracia. E ke pas një qëllim dhe nuk ke mbërritur atë. E pastaj e modifikon rrugës. S’është mëkat kjo demokraci. E vendos një qëllim – nuk e kemi arritur. S’i kemi arritur qëllimet dhe tash jemi në skenarin B. Është rasti më normal i mundshëm” – ka thënë ai.