Vetura e zënë me armatim në Zveçan në pronësi të shoqërisë aksione “Hekurudhat e Serbisë”, thotë Sveçla
Vetura e cila u zu dje në Zveçan nga njësitet speciale policore kosovare – ku u gjet sasi e madhe armatimesh – është pronë e Shoqërisë Aksione “Hekurudhat e Serbisë”, ka thënë Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla në një intervistë dhënë për televizionin publik mbrëmë. Duke thënë se Policia e Kosovës me këtë kapje “parandaloi sulm terrorist” ministri gjithashtu pretendon se këto armë të kapura jan “vetëm një pjesë” dhe se “shumë shpejt do të kapet edhe pjesa tjetër”.
“I tëri ky armatim ka ardhur nga Serbia. Tashmë Policia e Kosovës ka edhe informatat e para rreth personave të cilët kanë qenë të përfshirë në sjelljen e tyre por edhe potencialisht në realizimin e akteve terroriste; këto armë janë jashtëzakonisht të rrezikshme qoftë për personelin policor por edhe për të gjithë qytetarët”.
Mjete eksplosive, Zolla, Osa, armë automatike, shok-bomba e të tjera, që u zunë dje në një aksion policor në Zveçan, sipas Sveçlës, shpërfaqë veçse “dëshminë e rradhës” që Serbia “përmes grupeve dhe organizimeve të tilla” të destabilizojë Kosovën.
“Kjo është vetëm një pjesë e armatimit që ka hyrë nga Serbia kohët e fundit. Unë duke parë punën e policisë nga afër, jam i bindur se Policia e Kosovës shumë shpejt jo vetëm që do të zbulojë pjesën tjetër por edhe do të arrestojë ata që janë të përfshirë në sjelljen e këtij armatimi dhe përdorimin e tyre”, ka thënë ai.