Vetëdijesohet estrada: Dyfishohet deklarimi i të ardhurave të këngëtareve në ATK
Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ka bërë me dije se këngëtaret kanë dyfishuar deklarimin e fitmeve të tyre në ATK.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ai ka treguar se deklarimi i të ardhurave të kësaj kategoria nga 10 milionë euro ka arritur deri në 20 milionë.
Sipas tij, ndikim ka pasur edhe fushata vetëdijesuese që është bërë.
“Nuk e kisha quajtur fushatë, ky është një aktivitet. Ka qenë në të kaluarën një aktivitet i ATK-së që e ka trajtuar, mirëpo vitin e kaluar përmes projektit ne e dimë që ka pasur një fokus më të theksuar të monitorimit të realizimit të të hyrave nga ana e kësaj kategorie të bizneseve. Në të njëjtën kohë të detyrimeve që ata kanë pasur dhe kanë në raport me pagesën e tatimeve. Si rezultat i atij plani specifik, të monitorimit është arritur që gjatë vitit të kaluar të shënohet një rritje e qarkullimit të deklaruar nga ana e tyre, nga 10 milionë në mbi 20 milionë euro. Apo diku mbi 100 për qind. Po ashtu edhe pagesa e tatimeve ka pasur një rritje nga rreth 800 mijë euro në rreth 2 milionë euro nga kjo kategori e këngëtareve dhe grupeve muzikore”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai ka deklaruar se ende ka këngëtar që nuk i deklarojnë në mënyrë të saktë të ardhurat.
“Përkundër kësaj rritje të dhënat tona tregojnë se në raste të caktuara ka këngëtar të caktuar, grupe muzikore të cilat nuk kanë raportuar saktë të hyrat e tyre dhe ne tani përmes kontrolleve jemi duke i bërë vlerësimet tatimore, vlerësime këto që po prodhojnë rezultate”, ka theksuar ai.