Vetë qeveria e thotë se është "vështirë i arritshëm" shkarkimi i kryetarëve në veri përmes Udhëzuesit Administrativ
Qeveria e Kosovës ka thënë se kërkesa për largimin e kryetarëve shqiptarë dhe organizimin e zgjedhjeve të reja, sipas Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), duhet të nënshkruhet nga njëzet (20) për qind e votuesve të regjistruar, porse në raportin e Qeverisë së Kosovës, përmbushja e këtij kriteri është vlerësuar vështirë i arritshëm.
Duke u bazuar në një raport të miratuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, janë edhe dy arsyeje.
“E para, nisma për largim kërkon një kuotë prej 20 për qind të votuesve të regjistruar e që është mjaft sfiduese për t’u arritur. Ndërsa e dyta, procedura e votimit për largim kërkon aprovimin e shumicës së votuesve të regjistruar e cila është e paarritshme dhe mund të bazohet referuar numrit të votuesve që kanë votuar në zgjedhjet lokale.” – thuhet në këtë dokument.
“Si rrjedhojë, kriteri rigoroz për ndërmarrjen e nismave për shkarkim e bënë pozitën e fortë të kryetarit të komunës, gjë që kjo ka mundur të jetë një nga faktorët për mosndërmarrjen e një iniciative për largim.” – thuhet ndër të tjera në këtë raport.