Vërshimet në Pejë: Dy persona të vdekur e dy të lënduar
Qyteti i Pejës është tronditur nga vërshimet që ndodhën të shtunën në mbrëma. Si pasojë e këtyre vërshimeve dy persona kanë vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar. Një fëmijë i moshës 5-vjeçare dhe nëna e tij kanë humbur jetën.
Sipas informatave të para lagjet që më së shumti janë dëmtuar nga vërshimet janë lagjia “Asllan qeshme” dhe lagjia “Fidanishte”.
Ndërkohë, sot (e diel) Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është gjetur e vdekur një grua në Pejë që ishte shpallur e zhdukur pas vërshimeve që ndodhën mbrëmë në këtë qytet.
Sipas policisë, trupi i viktimës është gjetur në orët e para të së dielës.
Gruaja ishte nëna e fëmijës që ishte mbytur nga vërshimet në këtë qytet.
“Gjendet pa shenja jete personi i zhdukur (nëna e fëmijës) Drejtoria Rajonale e Policisë Pejё, njofton se me datё 24.06.2023 si pasojё e vërshimeve nё qytetin e Pejёs, nё lagjen “Asllan qeshme” njё fёmijё ka humbur jetën ndërsa nëna e tij ёshtё e zhdukur. Pas kërkimeve nga njësitet Policore rreth orёs 01:20, tё datës 25.06.2023, ёshtё gjetur personi i zhdukur femër , vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor.” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë për kryetar i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se kjo është një situata e rëndë dhe e hidhur.
Ai ka shprehur ngushëllime për viktima, teksa ka thënë se ekipet janë në terren.
“Jam shumë i tronditur për rastin tragjik që ka ndodhur sonte në Pejë si pasojë e vërshimeve, ku ka pasur edhe humbje jete të çmuara! Kjo është një situatë e rëndë dhe e hidhur për qytetin tonë.Gjatë kësaj kohe të vështirë, shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin tim të plotë. Shpresoj të kenë forcë për ta kaluar këtë situatë.”
“Ndihma në kohë të vështira është thelbësore. Ekipet tona janë në terren dhe po e vëzhgojnë situatën e shkaktuar nga vërshimet.” – ka shkruar ai në Facebook.
Për këtë rast ka reaguar edhe trajneri i njohur i xhudos, Driton Toni Kuka, cili ka publikuar një fotografi duke thënë se janë pamje apokaliptike në qytetin e Pejës.
“Pamje apolakaliptike nga qyteti i Pejës! Mbramë qyteti ynë u trondit nga një kohë e cila shumë lagje i ka sjell në gjendjen çfarë po shihni në foto! Që të jetë gjendja edhe më e trishtë një nanë e re me fëmiun e saj 5 vjeçar u gëlltit pamëshirshëm në lagjen tonë duke i ba këto vërshime me dhembje për të gjithë ne!” – ka shkruar fillimisht ai në Facebook.
Më tej, ai ka thënë se deri më tani nuk ka pasë asnjë lëvizje të autoriteteve përgjegjese dhe ka bërë thirrje që sa më shpejt të intervenohet.
“Apel ekipeve të emergjencës që me urgjencë të fillojnë qysh sot të u vijnë në ndihmë qytetarëve kudo që vërshimet kanë depërtuar.Përndryshe shumë lagje po përballen me shumë probleme dhe koha nuk pret,sot spo shoh ende asnjē lēvize ende pērkundër që është mëngjes i hershem. Peja ka nevoj urgjente që të rimëkëmbet,shumë lagje janë sot në mëngjes duke u përball me mungesa nga më të ndryshmet,rrymë,ujë e shumë probleme tjera!” – ka shkruar ai në Facebook.
Nacionale ka raportuar dhe ka publikuar pamjet e vërshimeve ku janë parë rrugë të bllokuara.
Klikoni KËTU për pamje.
