“Veprim i ndytë fëmijëror"; "Tallje dhe poshtërim": Provokimi i Muratit me vendimin për 100 eurot ngjall reagime të ashpra - NACIONALE

“Veprim i ndytë fëmijëror"; "Tallje dhe poshtërim": Provokimi i Muratit me vendimin për 100 eurot ngjall reagime të ashpra

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Mes një gërryerje të paprecedentë të fuqisë blerëse si pasojë e inflacionit rekord gjatë katër viteve të fundit, dyfishimit të çmimeve të energjisë dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike që të kujtojnë Kosovën e pas-luftës, ministri i Financave, Hekuran Murati, gjeti ndriçimin dhe kohën për t'i trajtuar 100 eurot e ndara për fëmijët dhe pensionistët si të ishin fitime nga investimet e tij në Netflix, Tesla dhe Volkswagen, aksionet e të cilave po mbajnë trend pozitiv — e jo para të buxhetit të shtetit.

Sanimi i gërryerjes së fuqisë blerëse me vendime të tilla, në vështrimin e gjerë të opinionit publik, po perceptohet më shumë si një tjetër manovër ad-hoc – një lëvizje me qëllim të pastër "korrupsioni elektoral" ndërsa i afrohemi 9 shkurtit.

Se vendimi ishte fjalë-për-fjalë i aty-për-atyshëm – i cili fare lehtë mund të mos ndodhte nëse projeksionet për rezultatin e zgjedhjeve do të ishin në favor të partisë në pushtet – dëshmohet edhe nga mënyra se si është bërë ndarja e 56 milionë eurove.

Sipas vështrimit të analistit politik Visar Ymeri, kreu i ekzekutivit po rrëshqet drejt një qeverisjeje me kult personaliteti, në vend që të përqendrohet në krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm për një rishpërndarje më të drejtë të parave.

“Nëse je qeveri e majtë socialdemokrate, krijon mekanizma institucional dhe ligje të cilat e mirëmbajnë një rishpërndarje më të barabartë të pasurisë. Mënyra se si po vepron Kurti me këtë, ka më shumë njëfarë ndjesie të krijimit ose investim në kultin e personalitetit, sepse në njëfarë mënyre këto vendime për mirëqenie sociale po i lidh me emrin e vet.” – vlerësoi Ymeri në "Debat Plus".

Kjo duket se e aktivizoi zotin Murati, i cili 'harnoi' një zgjidhje me shpejtësi për t’i shtuar pak nuancë socialdemokrate. Kreu i Financave ftoi ata që s'e duan ndihmën financiare të plotësonin një formular për ta refuzuar atë.

Megjithatë, ai shpërndau thirrjen në mënyrën më provokuese të mundshme, duke thumbuar në veçanti opozitën dhe analistët. "Jam i bindur që disa deputetë të opozitës dhe disa analistë do të jenë të parët që do ta plotësojnë", shkroi ai. Kjo ngjalli reagime të ashpra në opinion.

Gazetari Adriatik Kelmendi e përshkroi postimin e Muratit si “talljen dhe poshtërimin më të madh për popullin”, duke e akuzuar ministrin se sillet si të ishte duke shpërndarë ndihma nga xhepi i tij.

“Tallje dhe poshtërim më të madh për popullin se sa ku postim i ministrit Murati nuk mund të ketë. Populli i Kosovës është populli më i varfër në Evropë. Ky ministër lazdran i merr paratë nga taksat e popullit më të varfër, s’di çka të bëjë me to, ua kthen një pjesë të vogël të këtyre pareve para zgjedhjeve thua se po ua kthen nga xhepi privat i tij, edhe tallet prapë me fukaranë. Ky popull ka duruar gjithçka, por nuk duron talljen dhe fyerjen e dinjitetit. Poshtërsia s’paska kufij!” – tha Kelmendi.

Kritik i ashpër i postimit të Muratit ishte edhe njohësi i politikave publike, Shenoll Muharremi, referuar opsionit të lansuar nga Ministria e Financave.

“Veprim i ndytë fëmijëror...i papranueshëm...idiot tipik...shko në shtëpi.” – shkroi mes tjerash Muharremi.

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se, ndërsa vendi po përballet me ndalje të ashpra të energjisë elektrike, ministri Murati po përqendrohet në “luftë hibride.”

“Qe edhe një copëz e “luftës hibride” nga Minisrri i Financave. Ky problem të rrymës nuk ka: si pengojnë as ndërprerjet e as faturat”, shkroi Rukiqi.

Lajme të ngjashme