Vendos Gjykata: Nga një muaj paraburgim dy mjekëve të Spitalit të Gjilanit
Kirurgu Luan Mustafa dhe anesteziologu Halil Basha gjatë ditë së shtunë janë arrestuar nga ana e policisë nën dyshimet për marrje ryshfeti. Dy mjekët janë arrestuar nga njësitet e Krimeve Ekonomike derisa ishin në vendin e punës, gjatë kujdestarisë. E dy ditë pas, Gjykata Themelore ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për vënien e masës së paraburgimit prej 1 muaji.
Detaje rreth caktimit të masës së paraburgimit për Nacionalen dy mjekët ka dhënë Sabit Shkodra -zëdhënës i Gjykatës Themelore të Gjilanit.
“Në lidhje me pyetjet e juaja për rastin në fjalë ju njoftojë se dje (01.05.2023), gjyqtari procedurës paraprake ka mbajtur seancën dëgjimore ndaj dy pandehurve H. B. dhe L. M. të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje marrja e ryshfetit, nga neni 421 paragrafi 2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji të pandehurve, i cili do të llogaritet prej ditës se ndalimit me 29.04.2023 e gjerë me datë 28.05.2023, konform dispozitave të nenit 184 paragrafi 1 nënparagrafët 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale (KPP)”, tha Shkodra për Nacionalen.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
“Kundër këtij aktvendimi mund të paraqitet ankesë në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, në afat prej 24 orëve, pas pranimit të aktvendimit. Ankesa e paraqitur nuk e ndal ekzekutimin e këtij aktvendimi”, shtoi Shkodra.
Ndërkohë detaje pak orë pas arrestimit të këtyre dy mjekëve dhanë edhe nga Poicia e Kosovës.
Sipas policisë, anesteziologu dyshohet se kishte kërkuar ryshfet në vlerë prej 100 euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje.
Ndërsa kirurgu dyshohet se kishte marrë, lidhur me ndërhyrjen 330 euro, ndërsa, sipas policisë, kishte kërkuar edhe 200 euro shtesë.
Të njëjtit fillimisht u ndaluan për 48 orë.

