Vendimi që na iku: Putini e anulon dekretin që e përforconte sovranitetin e Moldavisë - NACIONALE

Vendimi që na iku: Putini e anulon dekretin që e përforconte sovranitetin e Moldavisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të martën shfuqizoi një dekret të vitit 2021, dokument që pjesërisht e përforconte sovranitetin e Moldavisë për zgjidhjen e të ardhmes së rajonit të Transnistrisë – rajon separatist i përkrahur nga Moska, i cili kufizohet me Ukrainën dhe që mban trupa ruse.

Dekreti, i cili përmbante një pjesë për Moldavinë, e kishte përcaktuar politikën e jashtme të Rusisë para 1 vjetëve dhe me të supozoheshin lidhje më të ngushta të Moskës me Bashkimin Evropian e me Shtetet e Bashkuara, raporton agjencia “Reuters”.

Urdhri për shfuqizimin e dokumentit të vitit 2012 u publikua në uebfaqen e Kremlinit dhe në të thuhet se vendimi është marrë “për t’i siguruar interesat kombëtare të Rusisë në lidhje me ndryshimet e thella që po ndodhin në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Alexandru Flenchea, drejtor moldav i komisionit të përbashkët të kontrollit në zonën e sigurisë përreth Transnistrisë, tha se anulimi i këtij dekreti nuk nënkupton se Putini po e braktis nocionin e sovranitetit të Moldavisë.

“Dekreti është një dokument i politikave që e zbaton konceptin e politikës së jashtme të Rusisë. Moldavia dhe Rusia kanë një marrëveshje themelore politike që ofron respektim reciprok të integritetit territorial të vendeve tona”- tha ai.

Kremlini ka thënë se marrëdhëniet e Rusisë me Moldavinë, shtet që javën e kaluar emëroi një kryeministër pro-perëndimor që u zotua për ta ndjekur rrugën e anëtarësimit në BE, janë shumë të tensionuara. Qeveria ruse e ka akuzuar Moldavinë se është duke ndjekur një agjendë anti-ruse.

E shtrirë mes Rumanisë e Ukrainës, Moldavia është njëri nga shtetet më të varfra në Evropë dhe nga viti 2020 udhëhiqet nga presidentja Maia Sandu, me përkrahjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian. Presidenti amerikan, Joe Biden, e takoi atë të martën në Poloni për t’ia ripohuar përkrahjen e tij për Moldavinë.

Me dekretin e vitit 2012, Rusia zotohej se do të kërkonte mënyra për ta zgjidhur problemin separatist “duke u mbështetur në respektimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe statusit neutral të Republikës së Moldavisë në përcaktimin e statusit të veçantë të Tansnistrisë”.

Folësit e rusishtes në Transnistri u ndanë nga Moldavia më 1990, një vit para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, për shkak të frikës se Moldavia do të bashkohej me Rumaninë, me të cilën ka kulturë dhe gjuhë të ngjashme.

Lajme të ngjashme