Vendimi i PZAP-it për certifikimin e Listës Serbe e hesht pushtetin: Sjellja e KQZ-së e dëmtoi Kosovën
Vendimi i PZAP-së për të rrëzuar vendimin e KQZ-së për moscertifikim të Listës Serbe e ka heshtur partinë në pushtet.
Anëtarët e VV-së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, të cilët kishin propozuar që subjekti politik serb të mos certifikohet, ende nuk e kanë thënë asnjë fjalë. Heshtjen e kanë zgjedhur edhe qeveritarët dhe zyrtarët tjerë të VV-së që e lavdëronin vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe.
I vetmi që ka reaguar ndaj vendimit të PZAP-s ka qenë këshilltari i Donika Gërvallës, Leutrim Sahiti.
Ndonëse Lista Serbe i kishte kaluar pa asnjë problem filtrat ministrisë ku punon Sahiti, ai përsëri e kritikoi ashpër vendimin e PZAP-it.
Sipas tij, një vendim i tillë ishte goditje ndaj sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës.
“Vendimi i PZAP-së për anulimin e vendimit për moscertifikimin e Listës Serbe është goditje ndaj sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës. A ka argument më të fortë se sa cenimi i sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës, sigurisë dhe territorialitetit të shtetit tonë. A mos kanë harru këta gjyqtarët që nënkryetar i Listës Serbe ishte Radojçiqi dhe kjo listë direkt kontrollohet nga Vuçiqi. Nuk mund të hyjë në garë për të hyrë në institucione shtetërore një parti që nuk i njeh ato institucione”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Pas vendimit të PZAP-së, ka reaguar KQZ-ja.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, ka treguar procedurën e mëtutjeshme.
“Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit. Andaj, KQZ, para caktimit të kësaj çështje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore”, ka thënë ai në një prononcim për gazetën Nacionale.
Veprimi i PZAP-së është vlerësuar si i pritshëm nga njohësit e rrethanave politike.
Analisti Albert Krasniqi ka vlerësuar se LVV-ja është dashur ta dijë se ndalimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje nuk mund të bëhet me një audio-incizim të Sami Kurteshit.
Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se ndalimi i partive politike për të marrë pjesë në zgjedhje bëhet vetëm me vendim të gjykatave.
“Vetëvendosje është dashur ta dijë se ndalimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje nuk mund të bëhet me një audio-incizim të Sami Kurteshit që e lëshon nga telefoni në një mbledhje të KQZ-së. Partitë politike mund të ndalohen nga pjesëmarrja në zgjedhje vetëm përmes vendimeve të gjykatave, kur të dëshmohen lidhjet e tyre (jo të individëve) me pjesëmarrje në akte terroriste. VV, duke pasur kontroll të plotë mbi institucionet e shtetit, ka pasur mundësinë ta bëjë këtë nëse do ta kishte seriozisht”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka thekuar se veprimet e tilla e dëmtojnë rëndë sovranitetin e Kosovës.
“Përdorimi i këtyre rasteve për qëllime të fushatës zgjedhore vetëm sa e forcon argumentin e Serbisë dhe rrit frikën e ndërkombëtarëve se Kosova nuk është e aftë të mbrojë të drejtat e pakicave etnike. Ky është dëmi më i madh që mund t’i shkaktohet Kosovës dhe sovranitetit të saj”, ka shkruar Krasniqi.
Çka thuhet në vendimin e PZAP-së?
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dje e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Listës Serbe, e cila nuk ishte certifikuar nga KQZ-ja për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Në një vendim që e ka parë Nacionale, dhe i cili mban datën e ditës së sotme, thuhet se "Anulohet njoftimi i KQZ, i datës 23.12.2024".
Po ashtu, PZAP ka urdhëruar KQZ-në që ta certifikojë Listën Serbe dhe kandidatët saj.
“APROVOHET e bazuar ankesa e subjektit politik Lista Srpska, me seli në Komunën e Mitrovicës së Veriut. II. ANULOHET Njoftimi i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), i datës 23.12.2024, URDHËROHET Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ta certifikon subjektin politik Lista Srpska dhe kandidatëve të këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës për Regjistrim, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të datës 22.12.2024, për Zgjedhje për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen me datën 09 shkurt 2025" - thuhet në vendim.
Ndërkohë, në vendim, PZAP ka treguar edhe arsyetimin për marrjen e këtij vendimi, ku thuhet:
"Me datë 24.12.2024 PZAP-i ka pranuar ankesën e parashtruar nga subjektit politik Lista Srpska me seli në Mitrovicë të Veriut, me të cilën theksohet se subjekti politik Lista Srpska brenda afatit të paraparë me ligj ka dorëzuar aplikacionin përmes platformës online, përmes llogarisë së saj të përdoruesit në Zyrën për Regjistrim, Konfirmim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike (KRPFKPS) për konfirmimin e listës së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025. Në ankesë është theksuar se më datë 22.12.2024, Zyra për Regjistrimin, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (KRPFKPS) pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka bërë një rekomandim në të cilin thuhet se subjekti politik Lista Srpska ka dorëzuar dokumentacionin në përputhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullat shoqëruese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku në pikën një (1) të rekomandimit, theksohet se në përputhje me rregullën zgjedhore numër 04/2004 për konfirmimin e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, subjekti politik Lista Srpska ka përmbushur detyrimet e parapara me ligj duke dorëzuar dokumentacionin në vijim "1.1. deklaratë politike" dhe "1.2. listë i kandidatëve me 48 kandidatë me formularë dhe aplikime për secilin prej kandidatëve" duke theksuar se lista përmban tridhjetë e dy (32) kandidatë meshkuj ose (67)% dhe gjashtëmbëdhjetë (16) kandidate femra ose (33)%..."