Vendi ku "ta vjedhin kuletën" bën bashkë krejt partitë kosovare - NACIONALE

Vendi ku "ta vjedhin kuletën" bën bashkë krejt partitë kosovare

4 vjet më parë

nga NACIONALE

"Nëse nuk je i majtë njëzet vjeç e i djathtë pesëdhjetë, nuk ke kuptuar asgjë nga jeta". Kjo është njëra prej frazave më të njohura të skenaristit italian Ennio Flaiano.

Në fakt, kjo është shprehja që do t'u shkonte më së shumti përshtati atyre 'socialistëve' që u vërsulen zonave të pasura posa arrijnë në pushtet.

Gjithmonë, nëse ka socialistë prej vërteti në vendin tonë.

Kështu kishte bërë edhe kryeministri Kurti. Në fakt ai qe i pari që bëri një gjë të tillë.

Kujtojmë kreun e ekzekutivit teksa thoshte se ndeshjet i shikon nga triuna lindore, pasi ka dëgjuar që në zonën VIP mund të ta vjedhin kuletën.

“Eeee, mbramë ishte një tifoz, adhurues i Vetëvendosjes në tribina në lindje, edhe më tha pse nuk shkove në tribina në perëndim atje ku janë VIP-at? I thashë, kam dëgjuar se atje mund të ta vjedhin kuletën”, deklaronte Kurti gjatë fushatës së tetorit të vitit 2019.

Por, Kurti në regjistrin e tij fshiu një tjetër premtim elektoral, kur në ndeshjen ndaj Irlandës Veriore, u pat gëzuar shumë, dhe po, pikërisht nga zona e personave të rëndësishëm.

Ballkani i përbashkoi

Ballkani shkroi histori. Kampioni kosovar sonte siguroi një vend në fazën e grupeve të "Conference League", niveli i tretë i garave evropiane.

Ishte pikërisht skuadra nga Theranda që i bëri bashkë deputetë të të gjitha partive kosovare. Edhe ata të Vetëvendosjes. Edhe presidenten. Kurti mungoi. Me siguri edhe për shkak të zhvillimeve.

Siç edhe mund t'i shihni në foton e shkrepur nga fotografi i Nacionales, Valdrin Xhemaj, nga radhët e Vetëvendosjes, e pranishme në tribunën e personave të rëndësishëm është deputetja Fjolla Ujkani.

Nga PDK-ja janë Memli Krasniqi, Sami Lushtaku e Ramiz Lladrovci. Madje këta dy të fundit janë shumë afër, ani pse kishin konfrontime politike gjatë zgjedhjeve lokale të vitit që lamë pas.

Nga LDK-ja Agim Veliu. Ministri i Bujqësisë, Faton Peci nga Lista Guxo e Bali Muharremaj nga AAK, ani pse ky i fundit gëzonte gjithë kredibilitetin e nevojshëm për të qenë aty, pasi po luante skuadra e qytetit ku ai është kryetar.

Lajme të ngjashme