Vela “lajmëtar” për Veri, i paraprinë edhe deklarimeve të institucioneve të sigurisë - NACIONALE

Vela “lajmëtar” për Veri, i paraprinë edhe deklarimeve të institucioneve të sigurisë

3 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Është i pari në betejën digjitale me cicërima kur vjen puna te Serbia. Blerim Vela, Shef i Kabinetit të Presidencës, okupacion primar dhe kryesor e ka Twitter-in. Tjetër gjë askush s'di çka bën brenda “kullës së tij të fildishtë”. Madje, ai ka kaluar në një nivel edhe më të lartë. Reagon edhe para vetë institucioneve të rendit dhe sigurisë, më theksueshëm për zjarrëvëniet kriminale ndaj veturave në pjesën veriore të vendit, vetura me ose pa targa RKS. Vela është bërë edhe “burim i parë” informacioni. Mirëpo sa(?) është një praktikë e tillë praktikisht e duhur, kur Velës as që i takon një gjë e tillë – jo para institucioneve të sigurisë.

Vela këtë të shtune i parapriu informacionit për djegien e tri veturave në pjesën veriore të vendit. Me gjuhë tonike e me denoncim të theksueshëm ndaj zjarrëvënësve, Vela doli me konstatim vetanak. Po bëhen, tha ai, ndaj atyre që shihen të bashkëpunojnë me shtetin e Kosovës. Nuk dihet kush ia ka dhënë këtë informacion Velës. Nacionale ka kontaktuar menjëherë Policinë e Kosovës, përkatësisht zëdhënësin për atë zonë, Veton Elshani. Situata qe e çuditshme. Zëdhënësi tha se “nuk janë tri po dy” dhe i cilësoi si “pjesërisht të dëmtuara”. Më pastaj, vetëm pasi i thamë se Presidenca po pretendon që janë “tri vetura”, zëdhënësi, tha “po qenkan tri”. Situatë bizarre.

Kjo është shumë e rrezikshme, shumë e keqe”, thotë në një përgjigje për Nacionalen ish-Komandanti i Policisë së Kosovës tash deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj. “Sepse unë as që arrijë ta kuptoj se pse duhet të dalin institucionet siç janë Ministria e Brendshme, Qeveria pastaj Presidenca sa më shpejtë me dhanë informata kur realisht ato duhet që fillimisht të verifikohen disa herë dhe të reagojnë vetëm pasi që të reagojnë hetuesia e policisë, respektivisht prokuroria”.

Të dëmshme për krejt kredibilitetin e institucioneve e quan një praktikë të tillë, Qalaj. Madje ai rikutjon edhe qortimin e kohëve të fundit të bërë nga vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Mendoj se nëse vazhdon një praktikë e tillë, edhe më shumë kredibiliteti i institucioneve dhe mesazhi do të jetë shumë i keq. Mesazhi sidomos krashi partnerëve tanë strategjik ashtu siç e patë reagimin në rastin e plagosjes së një qytetari serb në veri. Ju e patë reagimin që është hera e parë që Bashkimi Evropian dhe Ambasada e ShBA’së haptazi shpres shqetësimin dhe kritikojnë veprimin e institucioneve”.

Por, Qalaj thotë se kjo, gabimisht, tashmë është bërë krejt e zakonshme për qeverinë kosovare. “Nuk është në rregull. Ju e keni parë që kjo është bërë praktikë, edhe e Ministrit të Brendshëm (Xhelal Sveçla) edhe e Qeverisë edhe e Presidencës, me dalje të informatave të pakonfirmuara mirë, para institucioneve kompetente të sigurisë”.

Mendoj se janë duke bërë një gabim të madh. Për shkak se çfarëdo informacioni që nuk është i sakt ndikon shumë në kredibilitetin e institucioneve. Poashtu jep edhe mesazh shumë të keq tek institucionet ndërkombëtare të cilat edhe ashtu kanë filluar të kritikojnë”, përfundoi ai.

Lajme të ngjashme