Vela jep dorëheqje nga pozita si shef i stafit të presidentes Osmani
Blerim Vela ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij si shef i stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Mediumi “Demokracia”, raporton se Osmani ka pranuar kërkesën e tij për lirim nga detyra, derisa ka publikuar edhe një dokument.

Nacionale ka tentuar të kontaktojë me z.Vela për të konfirmuar ose demantuar një gjë të tillë, por i njëjti nuk e ka hapur telefonin.
Po ashtu, Nacionale ka kontaktuar edhe presidencën e Kosovës në lidhje me këtë raportim, por deri në këto momente nuk kemi marrë përgjigje.
Vela ndërkohë, njihet për sulmet e tij të vazhdueshme ndaj mediave në Kosovë, gjë për të cilën është kritikuar tepër shpesh.
Në vitin 2021, shefi i stafit të presidentes Osmani kishte bërë një reagim skandaloz ndaj raportimeve të mediave, në lidhje me një ftesë që ajo ua kishte bërë partive politike për konsultime.
“Per mediet e ish-regjimit Pronto: ftesa e Presidentes drejtuar partive per takim konsultativ s'paraqet vendim per shtyerje te zgjedhjeve. Andaj, mos perhapni te paverteta!” – kishte thënë ai në Twitter, në një shkrim që kishte marrë shumë reagime.
Këtë vit, ai i akuzoi mediat për “tentim puç”, në lidhje me një vendim të Kushtetueses që raportohej se mund ta rrezikojë karrigën e presidentes Vjosa Osmani.
“Pra, kjo është përpjekje për ndikim të vendim-marrjes gjyqësore dhe tentim-puç ndaj institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës, dhe si e tillë do të dështojë.” – kishte thënë ai mes tjerash.
Madje, ai pretendonte se e di edhe burimin ku thirreshin mediat duke shkruar si vijon: “E kemi plotësisht të qartë se dezinformatat dhe propanda që bëhet gjoja duke u thirrë “në burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi...”
Vela kishte “dhënë dorëheqje” edhe nga Twitteri
Para pak javësh, Vela kishte fshirë llogarinë e tij në rrjetin social Tëitter, për shakk të disa deklaratave skandaloze që i kishte bërë aty.
Vela kishte bërë një shkrim ku kërkonte test ADN-je që të vërtetohej nëse gazetari kosovar, Fahri Musliu është babai i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
“Aco, është e kotë pa poligraf dhe analiza të ADN-së. Ti dhe Fahriu bashkë.” – kishte shkruar ai.
