Veç interesat e ngushta bashkojnë pozitë e opozitë, votojnë ndryshimin e ligjit që u shkon për shtati
Për dallim nga shumë tema të tjera, sot pozita e opozita u bënë bashkë në Kuvendin e Kosovës. Rivalitetin ndërmjet tyre, e zbuti një ligj që ua mundëson deputetëve të jenë edhe përfaqësues të popullit në Kuvend, edhe profesorë në anën tjetër. Kjo pasi me Ligjin për Zyrtarët Publikë, një gjë e tillë u ndalohej në momentin që zgjedhen deputetë.
Me 62 vota për, deputetët e pozitës dhe opozitës e miratuan ndryshimin e këtij ligji, tek i cili do të shtohet fjali si në vijim: “Në rast të zgjedhjes në Kuvendin e Kosovës, zyrtari publik pezullon marrëdhënien e punës prej datës së certfikimit të zgjedhjeve, meqë rast kthehet në pozitën ekuivalente. Përjashtimisht kjo nuk zbatohet ndaj personelit akademik, profesor, profesor të rregullt e të asociuar”.
Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku para deputetëve tha se pas hyrjes në fuqi të ligjit, në Universitetet publike janë shfaqur shumë probleme, dhe ka pasur vështirësi me kuadrot.
“Disa deputetë që janë profesorë të mirënjohur, u është dashur të pezullojnë marrëdhënien e punës që ka shkaktuar mungesa të mëdha. Prandaj për ta sanuar këtë gjendje, është propozuar riformulimi i mësipërm”, tha ai.
Këtë ndryshim që ua mundëson deputetëve të jenë edhe profesorë por edhe në Kuvend, e përkrahën deputetet e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dhe Doarsa Kica-Xhelili. Madje, Kusari-Lila kërkoi që brenda ditës sot, ky ligj të miratohet edhe në lexim të dytë, duke shmangur rregulloret e Kuvendit. Edhe këtu u bënë bashkë pozitë e opozitë. Shmangia u votua me 62 vota pro.
“Nga zbatimi i kësaj dispozite janë hapur probleme që kufizojnë të drejtat e profesionit dhe vënë në vështirësi departamentet e universiteteve pa një përgatitje paraprake. Duke mos u shkëputur, ligji pritet të jetë efekt i ndryshimit. Ligji përbëhet nga një nen përmbajtësor, që nuk shkakton implikim financiar. Është në pajtim me ligjet e BE-së”, tha Kusari-Lila.
Megjithatë, votimin brenda ditës edhe në lexim të dytë e ironizoi kryeparlamentari Konjufca. Megjithëse, kjo u miratua më pas. “Pak ambicioze kjo deputete”.
Në përkrahje pushtetit i dolën edhe Eliza Hoxha nga PDK-ja, Armend Zemaj nga LDK-ja e Shemsedin Dreshaj nga AAK-ja.
“Ky ndryshim edhe për PDK-në është i nevojshëm, por gjithsesi mendoj që do të duhej me sjellë ligjin që e adreson aktgjykimin e Kushtetueses, përtej aspektit të këtij neni ka edhe gjetje të tjera. E kuptoj emergjencën e kolegëve të mi”, deklaroi Hoxha.
“Sot po shihet si e ngutshme dhe me interes të veçantë të strukturës kuvendore. Kuvendi e ka për detyrë ta sjellë ligjin e plotë dhe të rregullojë të gjitha profesionet që me marrjen e mandatit largohen nga implikimet politike. Ka edhe profile deficitare të tjera. Që janë të kufizuara për me ushtru detyrat e tyre në mënyrë të pavarur. Në Kuvend ka mjekë, juristë e ekonomistë dhe me këtë nguti duket se po rregullohet për një grup të caktuar që ata të ushtrojnë profesionin e tyre. Por kjo e pengon edhe në profeisone tjera”, tha Armend Zemaj.
“Ky ndryshim që është propozuar do t’i shërbejë rritjes cilësore të punës së Kuvendit, dhe ne do ta mbështesim”, tha Dreshaj.
Ligji për Zyrtarët Publikë që ia pamundëson deputetëve të punojnë edhe si profesorë, është në fuqi tash e sa vjet. Mirëpo, kjo nisi të zbatohet pas një opinioni të MPB-së.
“Në rast se nënpunësi i shërbimit publik zgjedhet Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, atëherë rastin e tij Ligji Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publik në nenin 22, paragrafi 6 e ka përcaktuar kësisoji: “Në rastin e zgjedhjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, zyrtari publik, i cili pranon mandatin, pezullon marrëdhënien e punës prej datës së certifikimit të zgjedhjes së kandidatit deri në përfundim të mandatit përkatës, në pozitë ekuivalente”, thuhej në opinion ligjor.
Nga ky ligj duket se u prekën të gjitha partitë. Gazeta Nacionale sjell listën e disa prej deputetëve të partive politike, që janë ose të paktën kanë qenë profesorë universitarë para se të bëheshin deputetë:
Ardian Kastrati – PDK
Ardian Gola – VV
Avdullah Hoti – LDK
Bekim Kamishi – PDK
Enver Hoxhaj - PDK
Fitim Uka – VV
Hykmete Bajrami – LDK
Kujtim Shala – LDK
Shemsedin Dreshaj – AAK