Veç 37,1 për qind e popullsisë në moshë pune e punësuar: Çfarë na treguan raportet e Bankës Botërore e FMN-së? - NACIONALE

Veç 37,1 për qind e popullsisë në moshë pune e punësuar: Çfarë na treguan raportet e Bankës Botërore e FMN-së?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë lëshuar dy raporte, në të cilën kanë dhënë parashikime ekonomike edhe për Kosovën. Të dy këto raporte, në një formë apo tjetër, kanë ngjallur debat, duke e ndihmuar si pushtetin, ashtu edhe opozitën, në luftën e tyre të vazhdueshme me statistika. Sidoqoftë, çfarë thanë këto dy raporte?

Në raportin e fundit të Bankës Botërore, të titulluar “Ruajta e rimit të rritjes”, është evidentuar një e dhënë e zymtë për ekonominë kosovare. Sipas Bankës Botëore, përkundër përparimeve të fundit, vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë është e punësuar.

“Në Kosovë, përkundër përparimeve të fundit, vetëm 37.1 për qind e popullsisë në moshë pune është e punësuar. Midis mesit të vitit 2023 dhe mesit të 2024, në rajon u krijuan 114,000 vende pune shtesë, nga të cilat Serbia pa përparimet nominale më të mëdha (48,400), e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina (39,000).” – thuhej në raportin e BB-së.

Një tjetër statistikë shqetësuese, të cilën e identifikoi Banka Botërore, lidhet me numrin e popullsisë që merr pjesë në tregun punës.

“Raporti më i ulët i popullsisë që merr pjesë në tregun e punës vërehet në Kosovë, vetëm 42.7 për qind.” – thuhej në raport e BB-së.

Tutje, në raportin e saj, Banka Botërore ka përmendur edhe tkurrjen e pullsisë në moshe pune, e cila vjen “me gjasë për shkak të migrimit të jashtëm”.

“Vetëm 39 për qind e popullsisë në moshë pune ishte aktive në tregun e punës (22 për qind për gratë) gjatë vitit 2022. Popullsia në moshë pune u tkurr në vitin 2022, me gjasë për shkak të migrimit të jashtëm”, thekson raporti.

Po ashtu, në raport u theksua se të ardhurat mesatare mujore të qytetarëve të Kosovës janë më të paktat në Evropë, siç edhe mund të shihet në grafikun e mëposhtëm:

Ndërsa raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar dha një pasqyrë interesante rreth normës së rritjes ekonomike. FMN-ja ka parashikuar rritje ekonomike të Kosovës nën mesataren e viteve 2016-2019, kur qeveriste opozita e tanishme.

Siç raportoi Nacionale, ndërmjet viteve 2016-2019, Kosova gëzonte një normë mesatare vjetore të rritjes reale prej rreth 4.65 për qind. Në këtë kontekst, rritja e parashikuar gjatë viteve 2024, 2025 dhe 2029 është në vlerën 3.87, që është nën mesataren e viteve 2016-2019.

Sjellim ndër mend që viteve të fundit Kosova është përballur me një inflacion të paprecedentë në historinë e pas pavarësisë. Viti më i ashpër me infalcion ishte viti 2022, kur Kosova për disa muaj kishte inflacion dyshifror. Në një publikim të dhjetorit të vitit 2022 të Agjencisë së Statistikave vlerësohej se norma mesatare vjetore e inflacionit ishte 11.6 për qind.

Statistikat rreth ekonomisë, papunësisë e zhvillimit biznesor kanë sjellë shpesh përplasja në mes partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe partive opozitare, posaçërisht Lidhjes Demokratike të Kosovës, që ka qenë aktive në çështjet ekonomike.

Lajme të ngjashme