Veç 0.2% e qytetarëve e konsiderojnë “problem madhor” dhunën në baza gjinore
Përkundër raportimeve të përditshme të dhunës në baza gjinore që bëhet nga Policia e Kosovës duket se qytetarët mbeten goxha të pashqetësuar për këtë problem madhor sipas një ankete publike të UNDP.
Në bazë të këtyre të dhënave, del se dhuna me baza gjinore e në të cilën kategori janë futur edhe (trafikimi, dhuna në familje, ngacmimi seksual etj) konsiderohet si problem madhor vetëm nga 0.2 për qind e qytetarëve.
Shumica e konsiderojnë problem madhor papunësinë (32.7%), varfërinë (20.1%), rritjen e çmimeve (11.6%) dhe çmimet e artikujve bazë (10.2%).

Më shumë qytetarë (0.7) madje i konsiderojnë qentë endacakë si problem madhor se sa dhunën në familje e dhunën në baza gjinore.
Kujtojmë se për shkak se ky problem është masivizuar ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu kishte propozuar që të themelohej një task-forcë për sfidimin e kësaj dukurie negative.
Në fund të vitit të kaluar, një grua shtatzënë ishte vrarë nga burri i saj prej të cilit po shkurorëzohej në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Në përshkrim të kësaj ngjarjeje, kryemininistri Albin Kurti mes tjerash kishte thënë: “...dy shqiptarë më pak do të jenë duke menduar armiqtë tanë.”