Vdes Seremb Gjergji, ish-gazetari që e sfidonte Hashim Thaçin për president të Kosovës
Ka ndërruar jetë në moshën 47-vjeçare ish-gazetari Seremb Gjergji. Lajmi u konfirmua nga familjarët e tij përmes rrjeteve sociale. Seremb Gjergji do të mbahet në mend për punën e tij si gazetar e për kandidaturën si kandidat i pavarur për president të Kosovës. Më poshtë keni disa të dhëna për veprimtarinë e Seremb Gjergjit.
Më 4 shkurt të vitit 2016, ish-gazetari kosovar Seremb Gjergji e kishte dorëzuar në Kuvendin e Kosovës dhe në të gjitha grupet parlamentare kërkesën për ta përkrahur me nënshkrime si kandidat për president të vendit.
Ai do të ishte kundërkandidati i kandidatit të PDK-së për president atë kohë, Hashim Thaçi, të cilin, megjithatë, e cilësoi se ishte i duhuri për kohën (viti 2016).
“Është sikur puna e një gare në maratonë. Unë besoj që kam qenë figurë më unifikuese. Përgjithësisht, i gjithë procesi ka qenë brenda suazave normale të Kosovës. Unë nuk besoj që është zgjedhja më e mirë, por është zgjedhja e duhur për kohën aktuale” – kishte deklaruar për televizionin "Klan Kosova" z. Gjergji.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Gjergji atë kohë pati njoftuar për aplikimin e tij për t’u bërë i pari i vendit. Për këtë punë e kishte informuar edhe Kadri Veselin, i cili e mbante postin e kryeparlamentarit.
Gjergji thoshte se ai ishte alternativa më e mirë “të cilën po e kërkojnë deputetët dhe qytetarët e Kosovës.”
“Zgjedhja ime president do të sjellë pajtim në tërë faktorin politik në Kosovë. Njëherësh, do ta përmirësoja dhe avancoja imazhin e Kosovës”- pati shkruar ai.
E Gjergji pati bërë dy përpjekje për tu bërë president i Kosovës. Edhe në nëntor të vitit 2011 e kishte bërë publike kandidaturën e tij.
Kush ishte Seremb Gjergji?
Seremb Gjergji karrierën e pati filluar si gazetar para, gjatë e pas luftës në Kosovë, në disa mediume të shkruara dhe elektronike. Nga viti 2003 deri në vitin 2005, ishte punëtor i televizionin "Kohavision".
Ai ka qenë aktiv ne disa debate aktuale politike me pjesëmarrje aktive dhe me opinione të shkruara.
Për vdekjen e tij kanë ngushëlluar edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“Me dhimbje dhe pikëllim të thellë kemi pranuar lajmin për vdekjen e kolegut tonë, gazetarit të mirënjohur, Seremb Gjergji. Vdekjen e Gjergjit në moshën 47-vjeçare, e kanë bërë të ditur familjarët e tij në mediet sociale”- thuhet në telegramin e ngushëllimit të AGK-së.
Për ndarjen e Gjergjit nga jeta, të pikëlluar janë shprehur edhe kolegët e tij.
“Një shok i jashtëzakonshëm dhe një njeri super pozitiv paske ikur nga kjo botë! Semin e pata shok e bro për 22 vjet! Më kujtohet si sot dita e parë e punës në KTV, kur Serembi ne dukje një djal super urban më morri afër e me tha bro më ke këtu për gjithëçka! Edhe storien e parë televizive e edhe standup-in e e parë e kam bërë bashkë me Serembin, ishim në Gjilan në ditën kur u dridha toka, më tha bro sot është dita me ba storien tane edhe standup-in dhe mos harro ne fund me thanë, “për KTV-në, Menduh Abazi, Gjilan”!”- e kujtoi kohën sa kishte punuar bashkë me Seremb Gjergjin gazetari Menduh Abazi.
“Pushfosh në paqe Seremb”- ka shkruar gazetari Enis Veliu.
Ngushëllime për vdekjen e tij ka shprehur edhe gazetari Milot Hasimja.
“Lamtumire President Seremb J. Gjergji, ka me na mungu buzeqeshja jote, ngushllime familjes”- ka shkruar ai.
Koha e varrimit të Seremb Gjergjit e hollësitë e tjera ende nuk janë bërë të ditura nga familja e të ndjerit.