Vdes gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Shadije Gërguri
Ka ndërruar jetë gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Shadije Gërguri.
Gjyakata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se gjyqtarja Gërguri ka ndërruar jetë pas një sëmundje të shkurtër dhe të njëjtit kanë treguar se lajmin për vdekjen e saj e ka pranuar nga familjarët e të ndjerës.
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe të gjithë miqve të të ndjerës, Shadije Gërguri.
Shadije Gërguri ishte gjyqtare në Departamentin Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Gjyqtarja Gërguri kishte diplomuar në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës në vitin 1991, ndërsa provimin e jurisprudencës e kishte përfunduar në vitin 2003.
Nga viti 2003 deri në vitin 2004 ajo kishte ushtruar detyrën e Përkthyeses në Gjykatën Komunale në Mitrovicë, ndërsa nga viti 2004 deri më 2006 kishte ushtruar detyrën si bashkëpunëtore profesionale në Prokurorinë Publike Komunale.
Në vitin 2010 ishte emëruar gjyqtare në Gjykatën Komunale në Prishtinë. Me datë 01.01.2013 Shadije Gërguri ishte emëruar gjyqtare në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të cilën pozitë e kishte ushtruar deri në muajin korrik të vitit 2019. Nga muaji korrik 2019 ishte caktuar gjyqtare në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.