Vdekja e dyshimtë e gruas në Breg të Diellit: Çka dihet deri tash?
Një vdekje e dyshimtë e një gruaje ka tronditur Prishtinën gjatë mesditës së sotme. Çka dihet deri tash? Më poshtë i keni disa pika të shkurta por ka edhe pikëpyetje tjera të rëndësishme që mbeten pa përgjigje.
Kush ishte gruaja?
Gruaja në fjalë, me inicialet A.Sh. (emër i njohur për redaksinë) ishte e moshës 25-30 vjeçare.
Ku u gjet e vdekur?
Sipas Shefit të Urgjencës së Prishtinës, Avdyl Pacollit, ajo u gjet e vdekur në holl të katit të dytë të një ndërtese kolektive në rrugën Ferhat Draha, në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.
Policia ndërkohë ishte më e padetajuar në informacione duke përmendur thjesht rrugën, dhe duke thënë se ajo ishte shtrirë “në afërsi të një objekti”. Deklarata kundërthënëse? Nacionale ka provuar të kontaktojë edhe me zëdhënësen e Prokurorisë në Prishtinë por nuk ka pasur informacione më të qarta.
Qysh u gjet e vdekur?
Doktor Pacolli ka thënë se gruaja ka pasur gjakderdhje por që për plumb “nuk më thanë ekipa”. Një detaj interesant ishte edhe se protezat e dhëmbëve ishin jashtë gojës së të ndjerës.
Ai shtoi se në momentin kur ekipi shkoi në vend-ngjarje, e ndjera nuk ka pasur shenja jete.
Vrasje, vetëvrasje, aksident?
Fatkeqësisht ka pasur edhe figura publike që janë ngutur të shkruajnë duke bërë konstatimet e tyre. Por, deri tash vdekja e A.Sh.-së ka mbiemrin "e dyshimtë". Asgjë nuk mund të thuhet, përfshirë raportimet e pakonfirmuara për shëndetin e të ndjerës.
Çka na thanë banorët?
Banorët që takoi gazeta Nacionale nuk e njihnin gruan e vdekur në fjalë.
"Jo, nuk po e njohim (kush është). Policia nuk po na lejon të kalojmë," - u shpreh njëri prej tyre në kushte anonimiteti.
Një banore tjetër i tha Nacionales se edhe pse e ka pasur dritaren e banesës të hapur nuk ka dëgjuar ndonjë krismë apo diçka tjetër. Ajo u shpreh se nuk e njihte të ndjerën.
Ndërkohë, sipas gazetës Insajderi që ka cituar një dëshmitar, “viktima kishte qenë duke u kollitur dhe i dilte gjak nga goja.”
Çka ndodhi më pas?
Trupi i të ndjerës tashmë është larguar nga vend-ngjarja, dhe një gjë të tillë e kanë konfirmuar gazetarët e Nacionales në terren.
Ndërkohë, ekipet e kompanisë Pastrimi kanë thënë se në vendin ku ishte trupi i të ndjerës kishte pasur shumë njolla gjaku. Madje, ata nuk kishin qenë as të përgatitur mjaftueshëm që të bënin pastrimin e gjakut që ndodhej, dhe për një gjë të tillë u desh të vinin sërish me pajisje më të mira.
Çka tha Prokuroria?
“Ju njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda ndodhet në vendin e ngjarjes me njësitë e tjera relevante. Është gjetur një trup pa shenja jete (femër). Sipas infomatave fillestare nga vendi i ngjarjes rasti ka të bëjë me vdekje në rrethana të dyshimta, mirëpo Prokuroria në koordinim me të gjitha institucionet relevante janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore per t’i ndriçuar të gjitha rrethanat e këtij rasti. Pas ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes, trupi i pajetë do të dërgohet në IML për obduksion,” – u shprehën nga Prokuroria.
