Vazhdojnë veprimet e Speciales: Prokuroria e Hagës po bastis shtëpinë e ish-këshilltarit të Thaçit, Ismail Syla
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdojnë edhe sot me bastisje në shtëpitë e bashkëpunëtorëve të ish-presidentit, Hashim Thaçi. Kjo është bastisja e katër me radhë në shtëpitë e ish-këshilltarëve të Thaçit.
Prokuroria e Hagës siç raportojnë mediet, aktualisht po kryen bastisje në shtëpinë e ish-këshilltarit presidentit Thaçi, Ismail Syla.
Ndërkohë, që dy ditë, Prokuroria e Hagës, ka bastisur shpëpitë edhe të ish-këshilltarëve të tjerë të Thaçiq.
Hetuesit e kësaj prokurorie të martën kanë trokitur në derën e ish-këshilltarit të Hashim Thaçit, Artan Behrami, për të ia bastisur shtëpinë.
Ajo që dihet është se Behramaj ka qenë kritik ndaj Gjykatës Speciale.
Një ditë me parë, ai ka kritikuar aksionet e kësaj prokurorie ndaj dy ish-këshilltareve tjerë të Hashim Thaçit.
“Gjykata Speciale është fashiste, sepse përndjek, arreston dhe dënon vetëm shqiptarët. Prokuroria është në panik! Po humb çdo betejë juridike! Ndërsa, gjykata në përpjekje për të ndihmuar prokurorinë, seancat tragjike-komike po mundohet t’i mbulojë me spektakle. Bastisja e shtëpive të kolegëve, Blerimit dhe Bashkimit, është skandaloze dhe e paprecedent!” – ka shkruar Behrami të hënën në Facebook.
Dy ditë më parë, Prokuroria e Specializuar e Hagës, ka realizuar edhe një aksione tjetër të bastisjes ndaj njerëzve të Thaçit. Të hënë janë bastisur në shtëpitë e së paku dy ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit, Bashkim Smaka e Blerim Shala.
Avokati Artan Qerkini i kishte deklaruare për gazetën Nacionalen se nuk i di arsyet e kësaj bastisje.
“Është duke ndodhur një bastisje, por asnjë informacion tjetër nuk mund të ndajë për momentin”, ka thënë ai.
Nacionale ka sigruar edhe pamje nga shtëpia e Smakës.
Prokuroria e Specializuar e Hagës kohëve të fundit ka pasur disa aksione të ndryshme të ngjashme.
ZPS-ja ua ka konfiskuar telefonat një pjese të madhe të ish-ushtarëve të UÇK-së, përfshirë edhe komandantin e zonës së Llapit, Rrustem Mustafa.
Bastisje kishte pasur edhe në shtëpinë e heroit Fahri Fazliu dhe në familjen e Hakif Zejnullahut.
Krejt këto aksione ata i kanë arsyetuar me tentimet për të ndikuar në dëshmitarë.
Së fundmi, Prokuroria e Hagës ka arrestuar Sabit Januzin e Ismet Bahtijarin, me pretekstin se kanë tentuar të ndikojnë tek një dëshmitar.
Lidhur më këtë bastisje, në Kosovë ka pasur shumë reagime dhe kritika ndaj punës së Gjykatës Speciale.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka kërkuar reagimin e institucioneve të vendit në këtë rast.
Në profilin e tij në "Facebook", ai ka shkruar se këto aksione nuk duhet të kalojnë në heshtje.
“As në kohën e pushtuesit nuk kemi pasur këso heshtje me zhvillimet që po ndodhin në Kosovë! Minatorët kanë hyrë në javën e dytë të grevës së urisë e pushtetarët lëre që po heshtin e nuk interesohen fare për ta, por edhe i akuzojnë dhe shantazhojnë pse ata bëjnë grevë. Përndjekjet e vazhdueshme nga Gjykata Speciale, të cilat po ndodhin edhe sot, po kalojnë në heshtje të atyre që do të duhej që së paku të flisnin. Të mos harrojmë #PoshtëZajednica.” – ka shkruar Klinaku.
Gjithashtu edhe zyrtarë të PDK-së, kanë reaguar për bastisjet e Speciale.
Kujtojmë se tashmë janë bërë tri vite që nga shkuarja e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.