Vajzat me shami, Banjska, gjuha anti-semite: Çka thotë raporti amerikan për lirinë fetare në Kosovë? - NACIONALE

Vajzat me shami, Banjska, gjuha anti-semite: Çka thotë raporti amerikan për lirinë fetare në Kosovë?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Departamenti amerikan i Shtetit, që udhëhiqet nga sekretari Antony Blinken, ka publikuar raportin vjetor rreth lirisë fetare për vitin 2023. Në këtë raport që flet për 200 vende, është përfshirë edhe shteti i Kosovës. Çfarë shkruhet në raportin për Kosovën?

Në raportin e publikuar nga DASh theksohet edhe kësaj radhe mungesa e statusit ligjor të bashkësive fetare, ndërsa janë renditur edhe ankesat e bashkësive të ndryshme fetare, përfshirë Kishës Ortodokse Serbe.

“Në mars, qeveria i paraqiti legjislaturës kombëtare propozime për amendamentet e ligjit për lirinë fetare që do të lejonte grupet fetare të fitonin statusin ligjor; Kuvendi (legjislativi kombëtar) nuk ndërmori asnjë veprim për to gjatë vitit” – shkruhet në raport.

Tutje, DASh ka nënvizuar faktin e ndalimit të përformimit të një shërbim kishtar nga ana e KOS-it në kishën në oborrin e Universitetit të Prishtinës, që vazhdon të mbetet një çështje problematike. Tutje, në raport është përmendur edhe mungesa e zyrtarizimit të tokave për Manastirin e Deçanit gjatë vitit 2023, por kjo çështje tashmë është zgjidhur në vitin 2024.

“Në maj, policia përsëri pengoi klerikët nga Kisha Ortodokse Serbe (KOS) të kryenin një shërbim në kishën e kontestuar Krishti Shpëtimtar në Prishtinë…Zyrtarët komunalë dhe të qeverisë qendrore përsëri dështuan në zbatimin e vendimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme që i njihnin Manastirit të Deçanit të KOS-it pronësinë e tokës afër manastirit. Në maj, presidentja Vjosa Osmani tha se zbatimi i vendimeve të mëparshme të gjykatave në lidhje me pronën e kontestuar të manastirit “mund të krijojë një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm”.” – shkruhet në raport.

Në raport përmendet edhe ndalimi i shkollimit të vajzave me mbulesë.

“Disa shkolla vazhduan t'u mohojnë aksesin vajzave muslimane të veshura me hixhabe, duke përmendur rregulloret e qeverisë… Një qarkore administrative e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MESTI) për kodin e sjelljes dhe masat disiplinore për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, ndalon nxënësit të veshin veshje fetare në mjediset e shkollave fillore dhe të mesme” – thuhet aty.

Në këtë kontekst, DASh-i ka shkruar edhe për problemet në disa xhami dhe për rritjen e gjuhës anti-semite.

“Në shkurt, katër persona penguan një imam të kryente ritet fetare në xhaminë Halabak në komunën e Podujevës dhe sulmuan një person nga xhemati. Në prill, një grup personash të paidentifikuar sulmuan imamin e fshatit Miradi e Epërme/Gornje Dobrevo në Fushë Kosovë/Kosovo Polje pas lutjeve të përditshme. Përfaqësuesit e komunitetit hebre vunë re një rritje të konsiderueshme të gjuhës antisemitike në mediat sociale pas sulmit të Hamasit në Izrael në tetor, por kreu i komunitetit tha se "lajmet e rreme" ishin ndonjëherë shkaku” – ka shkruar DASh-i.

Natyrisht, DASh ka përmendur edhe sulmin e armatosur në Banjksë të Zveçanit, ku në krye të detyrës ra një polic i Kosovës dhe u neutralizuan tre pjesëtarë të grupit, që udhëhiqej nga Milan Radojiçiqi, i kërkuar ndërkombëtarisht nga Kosova për këtë sulm dhe i sanksionuar nga ShBA-ja dhe Britania e Madhe.

“Në shtator, një grup i armatosur i serbëve etnikë sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, komuna e Zveçanit, duke vrarë një polic dhe duke plagosur dy të tjerë. Pasi sulmuan policinë, grupi hyri me forcë në Manastirin e KOS-it aty pranë Banjskës dhe luftoi me policinë prej andej për orë të tëra para se të shpëtonte. Policia njoftoi se tre sulmues u vranë gjatë përleshjes. KOS-i e dënoi sulmin dhe u ankua për deklaratat publike nga zyrtarë qeveritarë, figura publike dhe media që pretendonin për bashkëfajësi të KOS-it” – thuhet në raport.

Në raport përmenden edhe ankesa të tjera të bashkësive të tjera fetare, të cilat mund t’i lexoni këtu.

Lajme të ngjashme