Ushtria amerikane thotë se ka gjetur mbetje “të konsiderueshme” të balonës spiune kineze
Ushtria amerikane ka gjetur “mbetje të konsiderueshme” të një balone kineze të vëzhgimit, e cila u qëllua dhe u rrëzua këtë muaj, ka njoftuar Pentagoni.
Shtëpia e Bardhë ka pretenduar se Kina ishte duke përdorur një program të balonave me lartësi të madhe për t’i spiunuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre për shumë vjet.
Komanda Veriore e ShBA-së tha në një deklaratë: “Ekipet kanë arritur që të nxjerrin mbetje të konsiderueshme nga vendi i ngjarjes, përfshirë të gjitha pjesët me përparësi të sensorëve dhe elektronikës që janë identifikuar si dhe pjesë të mëdha të strukturës.”
Balona, e rrëzuar afër Karolinës Jugore më 4 shkurt, ishte e para në një varg objektesh misterioze që janë rrëzuar nga ushtria amerikane brenda një periudhe 8-ditore në hapësirën ajrore të Amerikës Veriore, shkruan gazeta “The Guardian”.
Megjithatë, programi kinez i vëzhgimit, sipas zëdhënësit të Këshillit për Siguri Kombëtare të ShBA-së, John Kirby, daton të paktën nga administrata e ish-presidentit Donald Trump, për të cilën ai tha se ishte e pavëmendshme ndaj programit.
“Ne e vërejtën atë, e përcollëm atë dhe kemi hulumtuar me kujdes për të marrë vesh sa më shumë që mundemi. Dimë që këto balona vëzhgimi të Republikës Popullore të Kinës kanë kaluar nëpër dhjetëra shtete e në disa kontinente përreth botës, përfshirë nëpër disa nga aleatët dhe partnerët tanë më të ngushtë”- shtoi Kirby.
Kirby nuk ofroi hollësi të reja për tri objektet e zbuluar më së voni, përfshirë rastin e sulmit me raketë ndaj një objekti të paidentifikuar “tetëkëndësh” që fluturonte mbi Liqenin Huron në Miçigen dhe për objekte të tjera me lartësi të madhe, të cilat u rrëzuan në Yukon të Kanadasë të shtunën dhe në Deadhorse të Alaskës të premten.
Megjithatë, ai tha se autoritetet do të dinë më shumë porsa të merren mbetjet nga vendet e largëta dhe të analizohen. Kirby shtoi se të tria objektet janë shumë më të vogla dhe ishin duke fluturuar në lartësi më të ulët se balona spiune kineze, por se prejardhja, përbërja dhe qëllimi i tyre mbeten të panjohura.
Në Japoni, Rrjeti i Lajmeve “Fuji” raportoi të martën se Tokioja ka arritur në përfundimin se objekti që kishte fluturuar mbi ujërat japoneze, afër rajonit jugperëndimor, Kyushu, në janarin e vitit të kaluar, sipas shumë gjasave, ishte një balonë spiune kineze.
