Ushtari ukrainas për “Leopard”-in kundër armëve sovjetike: Si Mercedesi me Ladën
Një ushtar ukrainas e ka krahasuar tankun gjerman, “Leopard 2”, me prodhuesin e njohur të automjeteve civile, “Mercedes-Benz”, përderisa është duke iu nënshtruar trajnimit për përdorimin e mjetit të rëndë para dërgimit të tankeve në fushën e betejës, duke thënë se shpreson që “Leopard”-ët do të bëjnë kthesë të rëndësishme në luftë.
Ai është në mesin e dhjetëra ushtarëve ukrainas që Gjermania është duke i ushtruar për përdorimin e tankeve “Leopard 2” në bazën më të madhe për ushtrime ushtarake, në Munster, para dërgimit të tankeve në Ukrainë, raporton agjencia “Reuters”.
Muajin e kaluar, Gjermania u pajtua që t’i dërgonte tanke Ukrainës, duke iu përgjigjur përfundimisht pozitivisht kërkesave të vazhdueshme të Kievit, i cili pretendon se “Leopard”-ët janë armë jetike për ta mposhtur Rusinë. Moska e ka cilësuar provokim vendimin e Gjermanisë për t’i dhënë tanke Ukrainës.
“Është jetike që ta përdorim këtë armë në mënyrë të zgjuar, ajo do të sjellë një kthesë dhe ne do të fitojmë në fund”- tha ushtari 57-vjeçar.
Kur u pyet për dallimin mes sistemeve perëndimore e sovjetike, ai tha: “Mund ta imagjinoni si dallimi mes një Mercedesi dhe një Zhiguli”- duke iu referuar një veture sovjetike, që në Perëndim është shitur me emrin “Lada”.
Versioni i tankeve që Gjermania do t’ia dhurojë Ukrainës, peshon mbi 60 tonë, ka tytë me gjerësi prej 120 milimetrash dhe mund t’i godasë caqet në largësi deri në katër kilometra.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha muajin e kaluar se ai pret që vendi i tij të marrë 120 deri në 140 tanke perëndimore në “valën e parë” të dërgesave nga një koalicion prej 12 shtetesh, përfshirë tanket “Leopard 2”.
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, tha se ai është i impresionuar nga ushtarët ukrainas. Ata po ushtrojnë 12 orë në ditë, gjashtë ditë në javë.

