Urimet e krerëve shtetërorë, policia, festa – si shkoi nata e ndërrimit të motmoteve?
Një tjetër ndërrim motmotesh. Një ndryshim kalendarik, që pritet të ndryshojë pakçka sa i përket zhvillimit, të paktën në Kosovë. Kjo, gjithmonë bazuar në premisat dhe asesi nuk përkon me synimin e njëmendët. Kuptohet, të të gjithëve, përfshirë edhe ne.
Krerët më të lartë shtetërorë uruan ndryshimin e viteve, duke uruar paqe e mirëqenie për familjet shqiptare. Fillimisht, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një video-adresim, përmendi shumë çështje që na presin për të punuar vitin e ardhshëm kalendarik, duke specifikuar luftën kundër dhunën ndaj gruas.
Veç kësaj, ajo shtoi se koordinimi me aleatët do të vazhdojë edhe më tutje, ndërsa në fund fare nuk harroi t'i falënderojë shërbyesit shtetëtorë që ndërrimi vjetor i kalendarit do t'i gjejë në ambientet e punës.
“Sonte përderisa mblidheni me familjen, shoqërinë, njerëzit tuaj të dashur, shpresoj që po ashtu të kujtoni gjërat për të cilat jeni mirënjohës e gjithashtu të reflektoni se si mund t’i kapërcejmë kolektivisht disa nga sfidat me të cilat përballeni si shoqëri e si vend.
Jam e vetëdijshme se momenti i ndërrimit të motmoteve do t’iu gjejë disa nga ju në ambientet e punës, duke i shërbyer vendit tuaj e duke ndihmuar ekonominë tonë. Të gjithë juve u jemi pafundësisht mirënjohës e ju falënderojmë “, ka thënë ndër të tjerash ajo.
Më pas, kryeparlamentari, Konjufca, duke shfrytëzuar rrjetin identik social, uroi kosovarët për një tjetër vit të suksesshëm. Siç potencoi kryekuvendari, motmotet ndërrohen, por Kosova mbetet e përjetshme.
"Uroj që viti i ri të sjell në familjet tona më shumë shëndet e lumturi, gëzime e mbarësi, harmoni e shumë dashuri. Gjithashtu paqe, solidaritet e humanizëm, zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, motrat e vëllezërit tonë të kudondodhur dhe mbarë njerëzimin", tha ndër tjerash ai në urimin e tij.
Në fund fare, erdhi edhe urimi i kryeministrit Kurti. Shefi i ekzekutivit vizitoi elektricistët, teksa me të ishte edhe ministrja Rizvanolli.
“Me ata të cilët punojnë që ne të festojmë, nga vendi prej nga na vjen ndriçimi sonte teksa urojmë njëri-tjetrin, gëzuar Viti i Ri 2023, të gjithë Juve të dashur qytetarë, familjeve, miqve e kolegëve tuaj!”, shkroi ai.
Policia
U.d. së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, në natën mes 31 dhjetorit e 1 janarit vizitoi zyrtarët policorë në detyrë.
Këtë e konfirmoi vetë institucioni respektiv përmes një komunikate zyrtare.
“Sikurse ç’do vit, festat e fund vitit kryesisht kremtohen në ambientet më të ngrohta familjare dhe shoqërore, por sikurse ç’do vit Policia e Kosovës me zyrtarët e saj janë në kryerje të detyrës, duke u angazhuar me përkushtim për të garantuar rendin qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve tanë në mbarë vendin.
Në këtë natë festive të vitit të ri, për të qenë pran tyre dhe për ti përkrahur nga afër, u.d. drejtori z.Hoti vizitoi pikën kufitare në "Merdare", stacionin policor “Jugu ” në Prishtinë dhe njësitet patrulluese në terren.
Qëllimi i kësaj vizite ishte për të ndarë pak momente festive me eprorët dhe zyrtarët në detyrë si një familje e madhe policore, për ti falënderuar për punën e tyre, si dhe për ti inkurajuar në përmbushjen e mëtejme të detyrave dhe përgjegjësive në mënyre profesionale.
U.d. Drejtori Fehmi Hoti, në emër të Policisë së Kosovës ju uron të gjithë punonjësve të Policisë së Kosovës festën e Vitit të Ri, e po ashtu të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe garanton mbështetjen e plotë të PK-së për qytetarët e vendin, për ofrim të shërbimeve efikase policore, për të garantuar një ambient të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët tanë”.
Festa
Gjatë mbrëmjes u raportuan tri raste të plagosjes nga plumbat qorr në Prishtinë.
Siç njofton Klan Kosova, sipas mjekut kujdestar, Ejup Govori, të plagosur nga këta plumba kanë mbetur një 15-vjeçare, një 26-vjeçar dhe një 36-vjeçar.
11 qytetarë të tjerë janë lënduar nga mjetet piroteknike.
Duhet përmendur faktin se gjithë ata që kanë pësuar janë jashtë rrezikut për jetën.