Urime mandati, tash negociatat me Serbinë: Përgëzimeve të Kurtit për qeveri i bashkëngjitet zbatimi i Ohrit - NACIONALE

Urime mandati, tash negociatat me Serbinë: Përgëzimeve të Kurtit për qeveri i bashkëngjitet zbatimi i Ohrit

3 javë më parë

nga NACIONALE

Qeverinë e zgjodhi për një orë, sepse votat i kishte. S’kishte nevojë ta testonte askush siç kërkonte përgjatë thuajse një viti me kërkesa kundër intuitës si “votojeni Albulenën, pastaj më testoni a i kam votat”. Njëzet ministri “sepse sinergjia nuk funksiononte siç duhej” ishte arsyetimi për kabinetin e madh çka dikur ishte objekt gjigant kritikash “sepse shumë shpenzime”. Qeveria e Albin Kurtit III u zgjodh me 66 vota, shumicë e qëndrueshme për të qeverisur pa pasë nevojë për ujdi me parti tjera, me përjashtim të çështjes së Presidentit të Kosovës, mandati i të cilit përfundon në fillim të marsit, dhe për çka Vjosa Osmani s’duket të jetë e paracaktuara e Vetëvendosjes. Deri më tash, VV nuk ka dhënë indikatorë se ia jep 30 nënshkrime në rend të parë. Por, kanë thënë se që nga nesër janë “të hapur” për të diskutuar me partitë e tjera për zgjedhjen e një presidenti/e. Albin Kurtit të Vetëvendosjes i erdhën urime për zgjedhjen e qeverisë së re pas një viti qeverisje jofuqiplote e kujdestare, të cilit kabinet, edhe vetë Bashkimi Evropian i kishte dërguar letër se nuk i shkojnë në zyre deri kur të religjitmohet plotësisht. Urimi i parë pas rilegjitimimit i erdhi nga vetë shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas.

Drejtuesja e politikës së përbashkët evropiane nën kujdestarinë e të cilës është dialogu për rregullim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, u lajmërua menjëherë pas një urimi fjalëpak se është e gatshme të organizojë takim të nivelit të lartë mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit të Serbisë. “Ky është një momentum i ri për të avancuar marrëdhëniet BE–Kosovë dhe dialogun Beograd–Prishtinë. Jam e gatshme të pres së shpejti një takim të nivelit të lartë”, shkroi Kallas në platformën X . Formimi i Qeverisë së re të Kosovës, tha ajo. “është një lajm inkurajues. Urime Albin Kurti”. “Ajo që ka rëndësi tani është që të ecet me shpejtësi në reforma. Kjo është mënyra më e shpejtë për të zhbllokuar mbështetjen e BE-së me vlerë qindra miliona euro dhe për të bërë përparim në rrugën drejt BE-së”, shtoi kryediplomatja evropiane.

Dialogut Kosovë – Serbi si kryetemë i qëndroi edhe ambasadori britanik në vend, Jonathan Hargreaves, i cili u lajmërua përmes një komunikate për media në urim për Albin Kurtin. Tash, tha ai, “është momentumi”.

“Një Kuvend dhe një Qeveri funksionale janë thelbësore që Kosova të bëjë përparim në çështjet që kanë më shumë rëndësi për qytetarët e saj. Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të mbështesë Kosovën ndërsa ajo përparon reformat, forcon institucionet demokratike dhe punon në interes të të gjitha komuniteteve. Ne gjithashtu presim me padurim angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës ndaj Dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe për të nxitur stabilitetin, prosperitetin dhe bashkëpunimin rajonal. Ky është një moment mundësie dhe Mbretëria e Bashkuar mbetet një partner i besueshëm ndërsa Kosova punon për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe të suksesshme”, tha Hargreaves.

Ambasada amerikane, e cila muaj më parë ka njoftuar shkëputjen e Dialogut Strategjik me Kosovën pikërisht për çështje të pakicës serbe dhe kursit qeveritar të ndjekur nga ish-qeveria kujdestare, nuk e përmendi dialogun. Por, thjesht tha “prioritete të përbashkëta, për paqe rajonale".

“Ambasada e ShBA-së mirëpret formimin e parlamentit dhe qeverisë së Kosovës. Presim që të punojmë me qeveirnë e re për të çuar para prioritetet e përbashkëta, përfshirë paqen rajonale, stabilitetin dhe prosperitetin e përbashkët ekonomik”, thanë ambasada.

Albin Kurti dje në paraqitjen e ekspozesë tha se i qëndron Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit në dialogun Kosovë – Serbi. Ajo marrëveshje qendërzohet në dy pika bosht: Mospengimin e Kosovës nga Serbua në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, si dhe një nivel autonomie (Asociacioni) për komunitetin serb në Kosovë.

Me t’i fituar zgjedhjet më 28 dhjetor, Financial Times e pati cituar një zëdhënës të qeverisë kosovare të ketë thënë se “tash janë pjekur kushtet” për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Lajme të ngjashme