Ura e Ibrit: Kurti këmbëngul për hapjen, Osmani kërkon dialog me partnerët, Perëndimi thotë JO
Çështja e hapjes së Urës së Ibrit, e mbyllur para shumë viteve, tashmë është nxehur sërish. Madje, pikërisht për këtë temë, ambasadorët e vendeve të QUINT-it i shkuan në zyrë sot kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Pesë ambasadat e Perëndimit – ShBA, Britani e Madhe, Francë, Gjermani dhe Itali – janë në një linjë mendimi. Perëndimi e kundërshton ndryshimin e statusit aktual të Urës së Ibrit.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, që udhëhiqet nga Kurti, thotë se Ura e Ibrit duhet të hapet. Sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, në takim Kurti ua ka paraqitur ndërkombëtarëve planin e tij për hapjen e Urës së Ibrit.
“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se “rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim”. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi” – thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovoës.
Krejt ndryshe mendojnë ambasadorët e QUINT-it. Pas takimit me Kurtin, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë qartësisht se shtetet e QUINT-it në konsultim me NATO-n, aktualisht nuk e mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës në Mitrovicë.
"Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara .... u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës aktualisht" – është shprehur Hovenier pas takimit me Kurtin.
Megjithatë, përveç Kurtit, për hapjen e Urës së Ibrit qëndron edhe një politikane tjetër e rëndësishme. Vjosa Osmani, president e Kosovës, ka treguar mendimin e saj. Mbrëmë përmes një reagimi, Osmani doli kundër idesë së BE-së që çështja e hapjes së Urës së Ibrit të jetë pjesë e dialogut.
Megjithatë, Osmani kërkon dialog me partnerët, veçanërisht “me NATON”.
“Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë” – ka shkruar presidentja Osmani.