"Trajnim kundër kujt?": Çfarë janë "stërvitjet" e KFOR-it në Urën e Ibrit?
Misioni paqëruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka njoftuar vendosjen e mjeteve shtesë në Urën e Ibrit në kuadër të Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe të KFOR-it (NJMS). Këto veprime po bëhen në kohën kur Qeveria e Kosovës ka bërë përgatitjet për hapjen e Urës së Ibrit. Por çka do janë këto “stërvitje” të KFOR-it në Urën e Ibrit sipas ish-kryeinspektorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani?
KFOR-i kohëve të fundit ka shtuar praninë paqeruajtëse në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke e përshkruar atë si pjesë të trajnimit rutinë.
"Është pjesë e trajnimit periodik që KFOR-i kryen për të testuar procedurat e tij të veprimit dhe për të ruajtur standardet më të larta operacionale”, ka bërë të ditur KFOR-i.
“KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër/Ibër, në Mitrovicë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth.” – thuhet në një përgjigje të KFOR-it.
Këto veprime u panë edhe të dielën më 1 shtator, ku karabinerët italianë kryen një stërvitje në Urën e Ibrit. Sërvitje të ngjajshme pati edhe të shtunën.
Por çfarë janë këto ushtrime sipas ekspertëve të sigurisë?
Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka shpjeguar për këto operacione të KFOR-it në Urën e Ibrit.
Ai ka thënë se janë dy lloje që duhet cilësuar veprimet e KFOR-it, si “operacion rutinor” apo si “trajnim”
Ramadani ka shpejguar se çka do të thotë operacioni rutinor i KFOR-it në urën e Ibrit.
“’Operacion rutinor’ me blinda, kordone dhe armë të gjata mbi Urën e Ibrit profesionalisht nënkupton se ka përfunduar një vlerësim i sigurisë nga KFOR.”
“Në këtë rast, sipas procedurave standarde operative, i bjen që rritja e kapaciteteve njerëzore e teknike, si dhe tregimi i forcës është i domosdoshëm për të pasur kapacitete të mjaftueshme të reagimit fillestar.E në gjuhë joprofesionale, populli ynë thotë “duhet me e mbush për ujk!”” – ka shkruar ai.
Më tej, ai ka pyetur se çfarë e ka shtyer KFOR-in që të tregojë forcën me blinda.
“Nëse është ‘Operacion Rutinor’ atëherë pyetja është: çfarë konkluza ka arritur vlerësimi i sigurisë që ka nxjerrë të domosdoshme tregimin e forcës me blinda, kordone e armë të gjata - krejt këto si veprime ‘rutine’?” – ka shkruar ai.
Tutje, ai ka treguar se kur bëhen trajnime nga KFOR-i.
“’Aktivitet trajnimi’ me blinda, kordone e armë të gjata profesionalisht nënkupton vlerësim i nevojave dhe testim të reagimit e komunikimit sipas atij vlerësimi të sigurisë nga KFOR.”
“Në këtë rast, i bjen që kapacitetet e veta KFOR-i ka vendosur t’i testojë (trajnojë) për atë që ka vlerësuar se ka mundësi të ndodh. Në këto raste, duhet analizuar pjesët e trajnimit dhe simodos nëse trajnimi është “mission/target oriented”? (I orientuar në një mision/pikë të caktuar).” – ka shkruar ai.
Ramadani gjithashtu ka shpejguar pozicionimi e ushtarëve të KFOR-it, ku disa janë parë të renditur nga jugu e disa nga veriu.
Ai ka pyetur se ndaj kujt po trajnohen ushtarët e KFOR-it dhe cilit rrezik.
“Pse trupat dhe mjetet lëvizëse të KFOR-it janë të drejtuara me ballë kah jugu e jo nga veriu? Apo anasjelltas? Apo të kombinuara?Nëse nga veriu, mund të kuptohet që presin trazira nga popullata apo grupe të organizuara në veri. Nëse nga jugu, atëherë presin shqetësime nga popullata, grupe të organizuara apo instutucionet e shtetit të Kosovës.”
“Pra, nëse është trajnim, pyetja është Trajnim kundër kujt? Kundër cilit rrezik?” – ka pyetur ai.
Në anë tjetër, ekspertët e sigurisë kanë kërkuar që hapja e urës të bëhet në konsultim me ndërkombëtare, ku këta të fundit kanë kërkuar koordinim të Qeverisë me ta.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë më 28 gusht ka thënë se po bëjnë konsultimet e nevojshme për hapjen e urës.
“Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull. Hapja e urës është liri e lëvizjes. E liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Bashkimin Evropian” – ka thënë Kurti.