Uniteti i Evropës kundër Rusisë të shfrytëzohet për anëtarësim në Këshillin e Evropës - NACIONALE

Uniteti i Evropës kundër Rusisë të shfrytëzohet për anëtarësim në Këshillin e Evropës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në ditën që Këshilli i Evropës zyrtarisht e ka përjashtuar Rusinë, janë shtuar zërat për intensifikimin e procedurave për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë pavarësisht skandalit që bëri zv.kryeministri Besnik Bislimi.

Njohësit e politikës së jashtme kanë bërë me dije se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë momentum dhe të bëjë hapa konkretë.

Ata kanë vlerësuar se përjashtimi i Rusisë dhe uniteti ndërkombëtar që është krijuar pas agresionit rus në Ukrainë, paraqet një mundësi të artë për rrugën e Kosovës drejt këtij institucioni të rëndësishme.

Ndërsa, institucionet kanë treguar se ka filluar puna në dërgimin e aplikacionit për anëtarësim në KE.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se janë në kontakte të ngushta me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për këtë çështje.

“Tashmë unë mendoj që është momentumi. Që nga zgjedhja ime si presidente dhe si udhëheqëse e politikës së jashtme kam insistuar që Këshilli i Evropës të jetë prioritet mbi prioritet sa i përket organizatave ndërkombëtare. Jemi duke punuar shumë afër me Ministrit e Punëve të Jashtme e cila ka përgatitur strategjinë mënyra si shkon procedura qe fillimisht të dërgohet aplikacioni, kërkesa pastaj Këshilli i Evropës emëron të deleguar që të vijnë në Kosovë për ta vlerësuar plotësimin e kritereve në fushat e ndryshme”, ka thënë Osmani.

Edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se aplikimi për anëtarësim në këtë

institucion është urgjent. “Përjashtimi i Rusisë nga Këshilli i Evropës le t'i paraprijë anëtarësimit të Kosovës! Mundësi të tilla të arta nuk injorohen, por shfrytëzohen! Është koha që Kosova të aplikojë, jo nesër, por sot”, ka shkruar Hoxhaj në profilin e tij në “Facebook”.

Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vlerësuar se qeveria nuk po e shfrytëzon sa duhet këtë mundësi.

Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se pengesat kryesore që ka pasur Kosova për vite me radhë në tentimin e saj për anëtarësim në këtë organizatë shumë të rëndësishme janë eliminuar me largimin e Rusisë.

“Kjo mundësi e re, ky momentum vendimtar, nuk po shfrytëzohet si duhet nga institucionet e shtetit të Kosovës. Ky rast që i është paraqitur Kosovës, nuk duhet të kalojë pa u kapitalizuar. Institucionet e shtetit duhet të nisin menjëherë dhe pa humbur kohë një fushatë lobimi dhe koordinimi me aleatët tanë strategjik perëndimorë për të planifikuar dhe përcaktuar hapat drejt aplikimit dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës.”, ka shkruar ai.

I pari i PDK-së ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në KE do të ishte një hap më tej drejt fuqizimit të shtetësisë, forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit në familjen evropiane e më gjerë.

"Qasja në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, aty ku zbatohen parimet e drejtësisë së Kartës Evropiane të Drejtave të Njeriut, e cila edhe ashtu është e inkuadruar brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, do të ishte përfitim i madh për qytetarët dhe shtetin tonë. Prandaj, kjo situatë e re e krijuar, që rritë shanset e Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës, duhet të shndërrohet në agjendë me prioritet shtetëror dhe të trajtohet në mënyrë emergjente – duke u ndjekur të gjithë hapat e nevojshëm që mundësojnë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare. Qeveria nuk duhet ta humbas këtë rast. Partia Demokratike e Kosovës, si lidere e Opozitës, është e gatshme që të jap të gjithë kontributin e saj në këtë proces të rëndësisë së madhe për shtetin tonë.", ka shkruar Krasniqi.

Diplomacia duhet ta sigurojë mbështetjen e nevojshme

Njohësi i politikës së jashtme Emir Abrashi ka bërë me dije se institucionet e Kosovës duhet të punojnë në sigurimin e përkrahjes se nevojshme për anëtaresimin e Kosovës në KE.

Ai ka thënë për gazetën Nacionale se përjashtimi i Rusisë nga KE-ja ka lehtësuar shumë rrugën e Kosovës. “Me përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i Evropës, normalisht në teori edhe lehtësohet rruga e anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm, marrë parasysh se ka automatikisht një votë më pak kundër, dhe në anën tjetër i pamundësohet lobimi kundër aplikimit të Kosovës. Pra, teorikisht, përjashtimi i Rusisë nga KE, apo cilido mekanizëm tjetër, do ta lehtësonte rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në atë mekanizëm. Megjithatë, duhet pasur parasysh se në ato mekanizma ku votimi bëhet me shumicë dhe asnjë palë nuk ka të drejtë vetoje, është detyrë e diplomacisë kosovare që të mbledhë mbështetjen e nevojshme për anëtarësim. Rrjedhimisht, pjesëmarrja ruse në ato mekanizma nuk do të duhej të shihej si pengesë, pavarësisht ndikimit që Rusia mund të ketë tek disa shtete”, ka thënë Abrashi.

Ai ka përmendur edhe një lehtësim tjetër që Kosova ka në këtë rrugë. Sipas tij, uniteti i vendeve të Evropës në raport me agresionin rus në Ukrainë është shumë i rëndësishëm në këtë rast.

“Sa i përket anëtarësimit në Këshill të Evropës, unë nuk mendoj që ka rëndësi përjashtimi i Rusisë, sa ka rëndësi momentumi në të cilin ndodhemi, ku edhe ka një unitet mes vendeve të Evropës karshi një situate si ajo në Ukrainë. Pra, ne duhet të shfrytëzojmë momentumin kur kemi një unitet përbrenda kontinentit, dhe ta kthejmë atë në favorin tonë. Për një çështje të tillë, normalisht duhet lobim intenziv dhe një Shërbim të Jashtëm funksional dhe në krye të detyrës, një qeveri syqelë dhe bashkëpunuese me të gjithë akterët. Andaj, kjo situatë e krijuar pas sulmit rus mbi Ukrainën ofron mundësi të arta për anëtarësimin e Kosovës nëpër organizata e mekanizma ndërkombëtar, dhe çfarëdo dështimi për ta bërë një gjë të tillë nuk mund t’i faturohet askujt tjetër, pos institucioneve të Kosovës”, ka thënë ai.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është i hapur për çdo shtet evropian që nënshkruan Statutin e KE-së dhe që e konsideron të jetë i gatshëm të pranojnë parimet e shtetit ligjor, gëzimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore për të gjithë personat brenda juridiksionit të tij dhe të bashkëpunojnë sinqerisht, në mënyrë efektive, në realizimin e qëllimit të KE-së.
Statuti i KE-së, parasheh që një shtet që dëshiron të anëtarësohet në organizatë, duhet të jenë i gatshëm dhe i aftë për të respektuar kriteret për anëtarësim të Këshillit të Evropës, që nga dita që bëhet pjesë e Statutit të Këshillit të Evropës.

Sa i përket procedurës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, është Komiteti i Ministrave që fton një vend për t'u bërë një anëtar i Këshillit të Evropës përmes rezolutës që kërkon dy të tretat e shumicës të të gjithë përfaqësuesve që marrin pjesë në të.

Dje më 16 mars, Këshilli i Evropës edhe zyrtarisht e ka përjashtuar Rusinë. Këshilli i Evropës, me seli në Strasburg, përmes një deklarate ka miratuar në mënyrë unanime mocionin që Federata Ruse më nuk mund të jetë anëtare e organizatës.

Këshilli i Evropës e kishte pezulluar pjesëmarrjen e Rusisë më 25 shkurt, një ditë pasi Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës. Kjo është hera e parë që një anëtar përjashtohet nga ky Këshill.

Lajme të ngjashme