Unë jam homoseksual
Qëndrim i Gazetës Nacionale
Dita e djeshme ishte shumë e errët për të gjitha llojet e diskriminimeve që ndodhin përditë në Kosovë. Ishte një ditë kur secili prej diskriminimeve u legjitimua. Bash secili. Qoftë ai ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTQI+, qoftë ai ndaj komunitetit serb, rom, ashkali e egjiptas, qoftë ai ndaj një fëmije me aftësi të kufizuara, qoftë ai ndaj një varfanjaku. Prej dje, pavarësisht asaj që do të ndodh tash e tutje, e ardhmja jonë do të duket e do të jetë më e errët.
Projekt-Kodi Civil që u prezantua ishte në vetvete diskriminues. Neni 1138 është i papranueshëm për një shtet që frymon lirinë dhe sheh drejt vlerave perëndimore sepse tingëllonte si të vinte nga viti 1138, siç edhe quhej, e jo nga ky në të cilin jemi [2022].
Martesa nuk është dhe nuk mund të jetë vetëm mes një burri dhe një gruaje. Martesa duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Edhe dy gra që dashurojnë njëra-tjetrën duhet ta ushtrojnë të drejtën që të martohen e të krijojnë familje nëse duan. Edhe dy burra. Por, Neni në fjalë nuk pajtohej ashtu siç nuk do të pajtohej as Viti adash i tij, 1138-shi.
Heteroseksualët u shpallën më të barabartë se të tjerët. Shumë më të barabartë. Në vend të barazisë për pakicat seksuale ata krijuan një deriçkë që quhej “bashkësi të regjistruara civile”. Një deriçkë që parashihej të hapej përmes një ligji të veçantë.
“Nuk mund t’i mbyllim sytë”, thoshte kryeministri ynë Albin Kurti duke treguar se kishte homoseksualë në Kosovë që tashmë bashkëjetonin me njëri-tjetrin ose njëra-tjetrën. “Krejt çka po bëjmë ne, është që po e hapim mundësinë t’i regjistrojmë”, vazhdonte argumentin e tij.
Një fjalim që ngjante me fjalimet e liderëve supremacistë në histori që kishin regjistruar e shenjuar në forma të ndryshme pjesëtarët e grupeve që nuk ju pëlqenin.
“Nuk ka nevojë [që homoseksualët] të na pëlqejnë”, tha një deputet i Kurtit në mbrojtje të Kurtit me emrin Dimal Basha, përkundër që votoi PRO Kodit të ri Civil.
Çka na tregojnë fjalë të tilla? E para dhe më e rëndësishmja, mungesën e vullnetit të pushtetit aktual që të konfrontohet me vlerat shtypëse shoqërore. Prej tash e tutje, është më se e qartë se pushteti – që kishte agjendë progresiste në të kaluarën – është tolerues i çdo fenomeni të shëmtuar shoqëror. Përfshirë, edhe korrupsionin. Sepse korrupsioni, nuk është thjesht të marrësh një shumë parash në këmbim të një favori por edhe të bëhesh deputet e të mos arrish ta shkruash apo lexosh një fjali drejtshkrimore pa gabime. Korrupsion monumental, ndërsa, është të quhesh parti progresiste e të mbash në grupin parlamentar deputetë ultra-konservatorë.
Çka mund të thonë tash e tutje krejt ata anëtarë të shoqërisë civile që e kanë mbështetur Kurtin për shkak të agjendës progresiste? Për çfarë agjende progresiste e kanë fjalën?
Aktualisht, nuk ka mister më të madh në Kosovë se sa qëndrimet e kryeministrit. Për shkak se i ka ngrënë fjalët gati për gjithçka, është e pamundur t’i kërkohet llogari për ndonjë gjë. Çkado! Ashtu siç është e pamundur t’i kërkohet llogari edhe për këtë çështje. Lufta ndaj korrupsionit – të paktën në fjalë – mund t’i konsiderohet një e mirë që nuk e ka shkelur deri tash. Por, korrupsioni është luftuar edhe nga i djathti ekstrem Viktor Orban? A duam ne një pushtet të tillë?
T’i rikthehemi fjalisë së parë të këtij shkrimi. 16 marsi ishte pra, një ditë e errët jo vetëm për pjesëtarët e pakicave seksuale por edhe për të gjitha grupet dhe të gjithë individët e lëndueshëm brenda shoqërisë. Përfshirë edhe një nxënës fillorist që perceptohet të ketë ndonjë mangësi nga moshatarët e tij dhe prandaj bullizohet vazhdimisht. Ajo që ndodhi dje, që ta vizatojmë, ishte sikur në klasën e atij nxënësi viktimë të hynte mësuesi/mësuesja dhe ta legjitimonte krejt bullizimin ndaj tij, e për më tepër të pranonte ‘mangësinë’ e pretenduar nga bullizuesit.
Prandaj, dita e djeshme duhet të shërbejë si mësim për të mos i besuar secilës fjalë progresiste që dëgjojmë apo lexojmë. Dita e djeshme ishte një demaskim i luftës së bërë deri tash në emër të lirive dhe të drejtave tona. Nëse dëgjoni dikë që thotë “unë nuk jam homoseksual por mbroj të drejtat e tyre”, shiheni me dyshim. Pse? Sepse më në pyetje nuk është identiteti seksual por i gjithë fati ynë. Prandaj, unë jam homoseksual!