Ukraina thotë se dy raketa ruse kanë kaluar mbi Rumani e Moldavi
Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Valeriy Zaluzhnyi, ka thënë se dy raketa ruse u futën në hapësirën ajrore të Rumanisë dhe Moldavisë të premten.
Sipas zyrtarit të lartë ushtarak, dy raketa të tipit “Kalibr”, të hedhura nga Deti i Zi, hynë në hapësirën ajrore të Moldavisë, pastaj në atë të Rumanisë, para se të hynin në Ukrainë, raporton agjencia “Reuters”.
Agjencia “Reuters” nuk mundi që ta vërtetonte menjëherë këtë pretendim. Rusia nuk e komentoi menjëherë atë.
Mediumi ukrainas, “Ukrainska Pravda”, citoi një zëdhënës të forcave ajrore të ketë thënë se Ukraina e kishte aftësinë për t’i rrëzuar raketat, por se nuk e ka bërë këtë veprim, sepse nuk ka dashur t’i rrezikojë civilët në shtetet e huaja.
Forcat ruse e sulmuan infrastrukturën kritike në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, dhe kryen disa sulme ndaj infrastrukturës energjetike në Zaporizhia të premten herët.
Moska i shtoi sulmet në lindje e në jug të Ukrainës dhe sirenat e alarmit për sulme ajrore u aktivizuan në shumë pjesë të vendit.
