“Ujdi e fshehtë për largimin e barrikadave”: Opozita i kërkon sqarime Kurtit
Partitë opozitare kanë shprehur dyshime të forta se Qeveria e Kosovës është përfshirë në një marrëveshje të fshehtë me Serbinë për dërgimin e ish-policit Dejan Pantiq në arrest shtëpiak dhe largimin e barrikadave në veri.
Zyrtarët e këtyre partive politike i kanë kërkuar sqarime Qeverisë së Kosovës për këtë çështje.
Sipas tyre, edhe deklarata e përbashket e SHBA-së dhe BE-së tregon se palët kanë zhvilluar bisedime për largimin e barrikadave.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nëse qeveria është përfshirë në ndonjë marrëveshje të fshehët, ajo duhet të jap sqarime.
“I takon Qeverisë që të dalë e ta shpjegojë a ka qenë e përfshirë në diçka të tillë, sepse ajo që është diskutuar plotë herë gjatë ditëve të fundit që Qeveria duhet të pajtohet me lirimin e të arrestuarit Pantiq në arrest shtëpiak në mënyrë që të të hiqen barrikadat. Nëse kjo është një marrëveshje e fshehur që e ka bërë Qeveria, mirë është që të na tregojë që ta arsyetojë këtë vendim”, ka thënë Krasniqi për EO.
Dyshime edhe më të forta për një marrëveshje të tillë ka shprehur deputetja e AAK-së,Time Kadrijaj.
Ajo ka thënë se qytetarët kanë të drejt të dinë se çka përmban ajo marrëveshje.
“Deklarata e përbashkët e Amerikës dhe BE-së e shpërfaq më së miri mashtrimin e Kurtit dhe tentimin për ta fsheh dakordimin me Vuçiqin për lirimin e kriminelëve, si kusht per heqjen e barrikadave. Kryeministër, a kemi ne të drejtë me ditë cka përmban marrëveshja e fshehtë me Vuçiqin? Tregoju qytetarëve pse i amnistove kriminelët e veriut!”, ka shkruar Kadrijaj në profilin e saj në “Facebook”.
Ndërsa, ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, mendon se vendimi për ndryshimin e masës nga paraburgimit në arrest shtëpiak për ish-policin serb është bërë nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
“Me gjasë vendimi për lirimin e policit serb qenka shkruar nga kyenegociatori Bislimi meqenëse sapo deklaroi që qenka shkruar shpejt”, ka bërë me dije Tahiri.
SHBA-ja dhe BE-ja japin detaje
Pas lirimit në arrest shtëpiak, Departamenti amerikan i Shtetit dhe BE-ja kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, në të cilën tregohen se janë duke punuar me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për të gjetur zgjidhje politike për uljen e tensioneve në veri.
Në këtë deklaratë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara shprehen të shqetësuar për situatën e vazhdueshme të tensionuar në veri të Kosovës.
“Ju bëjmë thirrje të gjithëve për të ushtruar përmbajtje maksimale, që të ndërmarrin veprime të menjëhershme në mënyrë që situata të qetësohet pa asnjë kusht, dhe të përmbahet nga provokimet, kërcënimet dhe intimidimet. Ne po punojmë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për të gjetur zgjidhje politike në mënyrë që të ulen tensionet dhe të pajtohen për rrugën përpara në të mirë të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve lokale”, është thënë në deklaratë.
Me tej, aty thuhet se është mirëpritur gatishmëria e palës kosovare për të treguar se nuk ekziston një listë e serbëve për t`i arrestuar.
“Ne mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se asnjë listë e serbëve të Kosovës nuk ekziston për t’u arrestuar apo përndjekur për protestat/barrikadat paqësore. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet, dhe çdo formë e dhunës është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet”, është thënë në deklaratë, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin punën e Bashkimit Evropian përmes misionit të saj për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).
Serbia e pranon se ka pasur marrëveshje
Nga mbrëmë pala serbe vazhdimisht ka deklaruar se ka pasur marrëveshje për largimin e barrikadave në veri të vendit.
Presidenti Vuçiq dhe zyrtarët tjerë të lartë serbë kanë përendur edhe detaje të marrëveshjes.
Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjurqi, ka deklaruar se pala serbe dhe pala kosovare kanë biseduar dhe kanë arritur marrëveshje për largimin e barrikadave dhe lirimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.
“Marrëveshjen e djeshme shkuam një hap më tej në aspektin e mbrojtjes juridike të pozitës së serbëve në Kosovës”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova ka humbur një mundësi të artë nga Amerika dhe ndërkombëtarët për shkak të sjelljes.
Ai ka thënë se deklarata e përbashkët e BE-së dhe Amerikës tregon më së miri detajet e marrëveshjes.
“Ftoj qytetarët e Serbisë që të njihen me dy elementet e tjera të bisedimeve që u zhvilluan dhe marrëveshjen e arritur, e cila u materializua përmes deklaratës së përbashkët të BE-së dhe SHBA-së nga njëra anë dhe deklaratës së KFOR-it. nga ana tjetër”, thotë Gjuriq.
Deri më tani Qeveria e Kosovës ka mohuar se ka pasur bisedime për largimin e barrikadave. Madje, kryeministri Albon Kurti dhe zyrtarët tjerë të qeverisë kanë kritikuar prokurorin dhe gjyqtarin që kanë vendosur që ish-polici serb, i dyshuar për sulm terrorist, t`i ndryshohet masa nga paraburgim në arrest shtëpiak.