Udhëheqësit botërorë po frikësohen që ta ndalojnë naftën ruse – njerëzit e rëndomtë, shpresa e vetme e Ukrainës - NACIONALE

Udhëheqësit botërorë po frikësohen që ta ndalojnë naftën ruse – njerëzit e rëndomtë, shpresa e vetme e Ukrainës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministrat në Gjermani, Itali dhe Britani të Madhe kanë frikë se votuesit nuk do t’i pranojnë çmimet me rritje. Publiku duhet që t’i shtyjë ata.

Oleg Ustenko – këshilltar për ekonomi i Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky

Nafta ruse është duke i financuar pushtimin e Ukrainës dhe vrasjen e njerëzve të pafajshëm, njësoj si të hollat nga shitja e “diamantet e përgjakura”, që e nxitën luftën brutale civile në Afrikë. Ne duhet që ta ndalim këtë financim në burimin e tij. Kjo tregti mund dhe duhet të ndalet përmes presionit të sjellë nga ju, klientë, ndaj kompanive dhe qeverive.

Vladimir Putini shet nga 5 milionë fuçi nafte të papërpunuar në ditë. Një pjesë e madhe e kësaj sasie shkon në Evropë. Sot, ndërsa udhëheqësit mblidhen për ta diskutuar krizën, ne u bëjmë thirrje njerëzve kudo që ta bojkotojnë naftën ruse tani.

Ne po marrim përkrahje të madhe nga shumë qeveri dhe njerëz. Ata po i pranojnë refugjatët tanë, po na dërgojnë ushqim e ilaçe dhe votuan kundër luftës së Putinit në Kombet e Bashkuara. Të martën, administrata e Bidenit u pajtua që t’i ndalojë të gjitha importet e naftës dhe gazit rus. Megjithatë, udhëheqësit politikë në Gjermani, Itali, Britani të Madhe dhe në disa vende të tjera po frikësohen që të vendosin embargo të menjëhershme. Ata frikësohen se çmimet e naftës do të ngrihen dhe se votuesit e tyre nuk do të kuptojnë pse ose do të jenë shumë të zemëruar për t’u interesuar për arsyen.

Ju, publiku, e dini më mirë.

Ju tashmë jeni rrugëve dhe në rrjete sociale duke e shprehur përkrahjen për Ukrainën. Ne i çmojmë të gjitha videot që dërgojnë mesazh të qartë se ju jeni të tmerruar nga llahtaria që e ka sjellë Putini. Por qeveritë tuaja ende kanë frikë që, nëse i vendosin embargo naftës ruse, ju do ta përdorni këtë kundër tyre.

Nëse ka bojkotim të naftës ruse, mund të hartohet një plan për t’i adresuar problemet afatshkurtra të furnizimit. Në rrafshin më afatgjatë, tani është qartazi domosdoshmëri kombëtare për të gjitha vendet që të largohen shpejt nga varësia e tyre ndaj lëndëve djegëse. Ajo që ne po e kërkojmë vetëm do ta përshpejtojë tranzicionin që nevojitet për ta adresuar krizën e klimës. Prapëseprapë, pavarësisht vrasjeve pa dallim, që po ndodhin nëpër rrugët e Ukrainës, dhe zotimeve për veprim nga udhëheqësit më të fuqishëm botërorë në samitin “Cop26” në nëntor, qeveritë evropiane ende ngurrojnë.

Nëse ne nuk mund t’i japim fund epokës së lëndëve djegëse përballë masakrimit të civilëve dhe shkatërrimit të planetit tonë, çka tjetër do të nevojitet (për ta arritur këtë qëllim)?

Ta bëjmë të lehtë këtë për ta. Ne jemi duke organizuar një koalicion për t’i përcjellë anijet që e transportojnë naftën ruse dhe për t’ju treguar juve se ku janë ato. Rusët do të përpiqen që ta fshehin këtë informatë, por ne do t’ju tregojmë se ku janë anijet.

Javën e kaluar, kompania “Shell” bleu një dërgesë të naftës ruse - siç u raportua - për shkak të çmimit me zbritje prej vetëm 30 dollarësh për fuçi. Reagimi i publikut ishte i menjëhershëm dhe, më 8 mars, “Shell”-i u zotua se nuk do të blejë më naftë ruse. Ne kemi nevojë që të gjitha kompanitë e naftës ta bëjnë këtë.

Këto kompani mund të mos e dëgjojnë të qarën e fëmijëve ukrainas, por ata do t’ju dëgjojnë ju, klientë të tyre. Shumica e naftës përdoret për transportim, përfshirë për vetura personale, kamionë dhe aeroplanë. Ju lutem, mos blini benzinë ose naftë nga asnjë kompani që rafinon naftë ruse. Mos fluturoni me aeroplanë që përdorin karburant për aeroplanë të prodhuar nga nafta ruse.

Kërkoni nga udhëheqësit tuaj që nafta ruse të mos shkarkohet në portet tuaja. Mos i siguroni dërgesat e tyre, mos u jepni anije me qira dhe mos transportoni naftë ose prodhime të rafinuara brenda vendeve tuaja. Ju lutem, mos kryeni asnjë transaksion personal ose të përbashkët me kompanitë ruse të naftës, me menaxherët ose pronarët e tyre. Të gjitha këto janë të holla të përgjakura dhe naftë e përgjakur.

Secili shef, që merr vendim për të blerë naftë të përgjakur ose ndonjë prodhim të nxjerrë nga nafta e përgjakur, do ta dëmtojë kompaninë e tij dhe do ta shkatërrojë vlerën e aksioneve – kushdo që është kaq i paaftë, duhet të largohet menjëherë nga puna. Ne do ta shtjellojmë këtë në bordet e drejtorëve dhe aksionarëve kudo.

Ne gjithashtu do të ndihmojmë për ngritjen e padive, në emrin e ukrainasve të pafajshëm, që kanë pësuar lëndime të paripariueshme, kundër secilit individ ose secilës kompani që përfiton nga nafta e përgjakur. Në nivelin e lejuar me ligj në të gjitha juridiksionet përkatëse, në emrin e të vdekurve, të lënduarve, të zhvendosurve dhe të traumatizuarve, ne do të ushtrojmë urdhra të menjëhershëm dhe dëmtime maksimale nga të gjitha palët që tash e ndihmojnë Rusinë.

Putini mendon se është i fuqishëm, sepse Rusia është eksportuesja e dytë më e madhe e naftës në botë. Por ai është i dobët, sepse e ka vendosur veten në duart tuaja dhe ju jeni të zemëruar, sepse ai po i terrorizon civilët ukrainas dhe po e kërcënon botën.

Po i bëjmë ballë Putinit dhe do të fitojmë. Ushtarët tanë janë të trajnuar mirë dhe miliona qytetarë po i kapin armët. Nuk ka rrugë me të cilën Putini e merr kontrollin e një vendi me mbi 40 milionë njerëz të zemëruar, të gjithë duke bërtitur “shko në shtëpi!”

Por shumë ukrainas, përfshirë mijëra e mijëra fëmijë, po vuajnë çdo orë të secilës ditë. Civilë të paarmatosur po bombardohen vazhdimisht. Ata po fshihen nën tokë. Nuk kanë ushqim ose ujë të mjaftueshëm. Shumë prej tyre u mungojnë ilaçet për të cilat kanë nevojë. Më shumë se 50 fëmijë kanë vdekur në rrethana tragjike. Mijëra jetë qëndrojnë varur.

Lëvizja kundër “diamanteve të përgjakura” e ndryshoi botën, por u nevojitën vite. Lakmia është shumë e fuqishme. Por ne, populli, jemi më të fuqishëm dhe, kur e përqendrojmë zemërimin tonë, mund të arrijmë gjithçka dhe të ndalim këdo.

Duhet t’i japim fund kësaj lufte. Ju mund të na ndihmoni. Tregojuni qeverive tuaja: jo në emrin tim. Bojkotojeni naftën ruse tani.

Ky opinion është publikuar në gazetën britanike, "The Guardian".
Përktheu: Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme