“U larguam nga kauza e Osmanit”: Si e konfirmoi Meta përçarjen në Guxo-n e Gërvallës e Pecit?
Tashmë përçarja në “GUXO”, parti e themeluar nga presidentja e tanishme Vjosa Osmani, është bërë publike. Deputeti i kësaj partie, Burim Meta, ka guxuar të flasë publikisht për atmosferën e ftohtë në parti, duke pranuar se “ka mospajtime të shumta”. Duke i marrë parasysh situatat brenda partisë, duke se e ardhmja e deputetit Meta e ndoshta edhe e Ekrem Mustafës në “Guxo”, me shumë gjasë, është në pikëpyetje. Çka po ndodh në Guxo?
Në fakt, Nacionale ka raportuar kohë më parë për marrëdhëniet dhe qëndrimet e ndryshme në partinë “Guxo”, që bashkëdrejtohet nga Donika Gërvalla dhe Faton Peci. Tani për tani, siç deklaronin burimet e Nacionales, “Guxo” është më e afërt me qëndrime me kryeministrin Albin Kurti sesa me ish-themeluesen Osmani.
Këto raportime për “acarin” mes Guxo-s dhe Osmanit i ka konfirmuar deputeti Meta. Duke folur për problemet në partinë e dikurshme të Osmanit, Meta ka treguar se ka mospajtime në Guxo. Madje, ai bëri një akuzë publike, duke theksuar se Guxo është larguar “nga filozofia politike”.
“Ka, ka mospajtime të shumta. Moto e partisë GUXO është: E ardhmja ju takon atyre që guxojnë! Pikërisht këtu qaluam dhe ne nuk guxuam, u larguam nga filozofia jonë politike për të guxuar dhe prezantuar qendrën e djathtë pothuajse të vetmen në skenën politike në Kosovë”, ka thënë ai në një bisedë për IndeksOnline.
Në deklarimin e tij, Meta e ka përfshirë edhe Osmanin, duke vlerësuar se GUXO është larguar “nga kauza dhe intetiteti që krijoi” presidentja Osmani.
“Kam kërkuar që t’i kemi akronimet tona dhe identitetin tonë në garën e 9 shkurtit, por kjo nuk u bë. Më e rënda është që ne u larguam nga kauza dhe identiteti që krijoi z. Vjosa Osmani, tashmë presidente e Republikës dhe këtë e vlerësoj njëjtë dhe ngjashëm, sikurse LDK-ja të largohet nga rruga dhe filozofia e Ibrahim Rugovës”, ka vlerësuar ai.
Gazeta Nacionale kishte shkruar për heshtjen prej varri të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të partisë “Guxo” për intervistën e Osmanit në “Kallxo” me gazetaren Jeta Xharra. Në këtë intervistë, Osmani kishte pasur kritika për Qeverinë e Kosovës, veçanërisht të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që drejtohet nga ish-bashkëpunëtorja e saj e afërt, Donika Gërvalla, që është tash bashkëlidere në “GUXO”.
Askush, përveç deputetit Meta nuk kishte ofruar mbështetje për qëndrimet e Osmanit. Në një postim në profilin e tij në Facebook, Meta atëbotë e kishte shpërndarë intervistën e Osmanit, duke shkruar edhe një koment të shkurtër.
“Për të gjithë ata që duhet me e dëgju më shumë se një herë!” – ka shkruar Meta, transmeton Nacionale.
Deputeti Meta kishte shpërndarë edhe një “story” në Facebook, ku shihej fotografia e Osmanit dhe njoftimi se presidentja ka marrë një çmim dedikuar të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Sjellim ndër mend që kohë më parë u pa në mënyrë publike mungesa e komunikimit mes Osmanit dhe GUXO-s. Gjatë një ceremonie për zbulimin e shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë, Osmani nuk dënjoi t’u fliste për dore Gërvallës dhe Pecit, i cili madje i kishte larguar edhe syzet e diellit për ta respektuar Komandanten Supreme.