Iu kapën dajtë në përgjimet për ryshfet, Florent Ramqaj e financoi VV-në në vitin 2021
Në episodin e tretë të Ditarit të Buzhalës trajtohet një rast korrupsioni ku përmendet edhe emri i ministrit Liburn Aliu, dhe ku nuk mungojnë shumat astronomike, pushteti e ryshfeti, dhe daja e nipi.
➡️ AFERA JARANAT E LIBURNIT: Ryshfet astronomik në Ministrinë e Liburn Aliut (Ekskluzive/Audio)
Florent Ramqaj u emërua këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës, që drejtohet nga Liburn Aliu.
Në emisionin “Ditari i Buzhalës” është raportuar se daja i Florent Ramqajt dyshohet se është përfshirë në dhënie ryshfeti e dallavere nëpër disa tenderë të Ministrisë së Infrastrukturës. Kjo pasi daja i këshilltarit të Aliut, është pronar i një kompanie projektuese private.
Por, Ramqaj, para se të emërohej këshilltar, ai ka dhënë kontribute financiare në Lëvizjen Vetëvendosje.
Kjo shihet nga vetë raportet financiare të publikuara nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në raportin e vitit 2021, Ramqaj, që sot gëzon pozitën e këshilltarit, e ka ndihmuar hiç në pak se 2000 euro Vetëvendosjen. Në raport, tregohet se shuma prej 2 mijë eurosh u dha në janar të vitit 2021, atëherë kur VV kishte më së shumti nevojë, pasi që po garonte për zgjedhjet e 14 shkurtit, e të cilat i fitoi bindshëm.
E pas fitores, Ramqaj u ‘rehatua’ në Ministrinë e Infrastrukturës, në pozitën e këshilltarit.
Florent Ramqaj po del se është njëri nga këshilltarët me shumë ndikim në kabinetin e ministrit Liburn Aliu. Ai nuk ka kursyer as të udhëtojë jashtë vendit e të marrë mëditje. Madje, në disa raste duke tejkaluar edhe zv/ministrat, përkundër se vet ka rolin e këshilltarit.
Gazeta Nacionale javë më parë kishte raportuar për shpenzimet e ministrave në udhëtime jashtë vendit, drekave zyrtare e mëditjeve.
Në ministrinë e Infrastrukturës që udhëhiqet nga Liburn Aliu, në mesin e atyre që kanë shpenzuar më së shumti.
Në vitin 2021, Ramqaj ka marrë gati 1 mijë e 200 euro mëditje. Të gjitha këto, vetëm në muajin nëntor. Për mëditje gjatë vitit të kaluar, përveç vetë ministrit Liburn Aliu, askush nuk ka marrë më shumë para se këshilltari Florent Ramqaj. Madje, Aliu si ministër për mëditje kishte marrë 1 mijë e 976 euro, pra jo shumë më shumë se këshilltari i tij, Ramqaj.

Madje, sikur t’i mbledhësh shpenzimet e mëditjeve për dy zv/ministrat e Aliut, Hysen Durmishi e Linda Çavderbasha, shuma nuk e kalon atë të mëditjeve që ka marrë Florent Ramqaj. Durmishi e Çavderbasha morën për mëditje 1 mijë e 48 euro, kurse vetëm Ramqaj 1 mijë e 199 euro.
Florent Ramqaj keq nuk e ka lënë as për shpenzime të udhëtimit. Në vitin 2021, si këshilltar i Aliut ai është kompensuar me 755 euro bashkë me kolegun e tij këshilltar, Gent Zeqirin. Për bileta udhëtimi, asnjë cent nuk e ka marrë Hysen Durmishi si zv/ministër, përderisa zv/ministrja tjetër, Linda Çavderbasha ka marrë 884 euro për bileta udhëtimi.
Kurse, për dreka zyrtare Ramqaj është më dorështrenguar. Ai gjatë vitit 2021, ka shpenzuar vetëm 61 euro.
Kurse, deri në muajt e parë të vitit 2022, Ramqaj nuk ka pasur shpenzime të raportuara për mëditje e udhëtime jashtë vendit.

Kontribues në aspektin financiar është edhe Halil Jahaj, që ndryshe njihet si “daja” i Vetëvendosjes. Ai është në listën e financuesve të partisë së Albin Kurtit.
Financimin që e bëri Jahaj, e ka njoftuar edhe vetë partia e kryeministrit Albin Kurti. Në njërën nga pasqyrat financiare të publikuara nga VV, “daja” shihet të ketë financuar këtë parti në vitin 2021, kur partia e Kurtit fitoi gjysmën e votave të elektoratit.
Halil Jahaj është edhe aktivist politik. Ai bën një numër shumë të madh postimesh politike në profilin në Facebook.

Në anën tjetër, dihet edhe se “daja i Vetëvendosjes” është dajë i këshilltarit të Liburn Aliut, Florent Ramqajt.
Kompania Infratek, e zënë duke kërkuar ryshfet 30 mijë euro nga një kompani ndërtimore, është në pronë të tij, edhe pse gruaja e tij është zyrtarisht në krye. Ai është pronar edhe i kompanisë Alpha I.
Në përgjimet ekskluzive dhe autentike të publikuara sot në Ditarin e Buzhalës, Idriz Shala është pjesëmarrës në dialogjet që realizohen në lidhje me ryshfetin në Minstrinë e Infrastrukturës, të cilin e udhëheq ministri Liburn Aliu.
Duket se përmendja e emrit nga ana e Nacionales, duket ta ketë penguar Shalën. Pas publikimit të episodit të tretë të Ditarit të Buzhalës, i titulluar “Afera jaranat e Liburnit: Ryshfet astronomik në Ministrinë e Liburn Aliut”, ka shtyrë Shalën të mbyllë llogarinë e tij në Facebook.
Megjithatë, gjersa profili i tij ishte i qasshëm në Facebook, Shala ishte aktiv në përkrahje të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një postim të vitit 2020, Shala uronte Vetëvendosjen për fitoren.
“Urime Vetëvendosje! E ju analista, kqyrë gjeni kime”, shkruante dy vite më parë Shala në Facebook.
Ndryshe, tashmë emri i Idriz Shalës është bërë shumë i njohur në Kosovë. Madje ai në Facebook është i popullarizuar, që tregon se emri i tij është kërkuar jashtëzakonisht shumë në këtë platform sociale.